Psalms 105AL1

1Përlëvdoni Zotin, thirreni emrin e tij, shpallni mes popujve veprat e tij.

2Këndojini atij e thurini lavde, kumtoni gjithë mrekullitë e tij.

3Krenohuni me emrin e tij të shenjtë, u gëzoftë zemra e atyre që kërkojnë Zotin.

4Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij, kërkojeni përherë fytyrën e tij.

5Kujtoni mrekullitë që bëri, çuditë dhe gjykimet e gojës së tij,

6o pasardhës të Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij.

7Ai është Zoti, Perëndia ynë; mbi mbarë dheun vendimet e tij.

8Ai e kujton përherë besëlidhjen e tij, fjalën që urdhëroi për një mijë brezni,

9besëlidhjen që bëri me Abrahamin, premtimin që i dha Isakut.

10Ia caktoi si rregull Jakobit, Izraelit si besëlidhje përjetë,

11kur tha: «Ty do të ta jap tokën e Kanaanit si pjesë të trashëgimisë suaj»,

12kur ishin të hequr në numër, të paktë e ardhacakë,

13tek endeshin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një tjetër popull.

14Nuk lejoi t'i shtypte askush, mbretërit për hir të tyre qortoi:

15«Mos m'i prekni të vajosurit, profetët e mi mos i lëndoni».

16Urinë solli në atë vend, theu çdo enë buke.

17Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav.

18Me pranga ia shtrënguan këmbët, hekura i vunë rreth qafës,

19derisa u përmbush fjala e tij, fjala e Zotit e sprovoi atë.

20I dërgoi fjalë mbreti që ta lironin, sunduesi i popujve e la të lirë.

21Zot të shtëpisë së tij e bëri, sundues mbi gjithë zotërimin e tij,

22që t'i ndreqte princat sipas gjykimit të tij e t'u mësonte pleqve urtinë.

23Atëherë Izraeli shkoi në Egjipt, Jakobi u vendos në tokën e Kamit.

24Dhe Zoti e shtoi shumë popullin e vet, më të fortë se armiqtë e tij e bëri.

25Ua ndryshoi zemrën egjiptianëve, që popullin e tij ta urrenin, që kundër shërbëtorëve të tij me dredhi të silleshin.

26Dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, Aronin, që vetë e kishte zgjedhur.

27Kryen mes tyre shenjat e tij, mrekullitë në tokën e Kamit.

28Dërgoi errësirën e u bë terr, fjalët e tij nuk i kundërshtoi kush.

29Ujërat ua ktheu në gjak, peshqit i ngordhi.

30Vendi i tyre gëloi me bretkosa, deri edhe në dhomat e mbretërve.

31Foli Zoti e u vërsulën mori mizash, mushkonjat mbarë trojet mbuluan.

32U dërgoi breshër në vend të shiut, flakë zjarri mbi vendin e tyre.

33Ua goditi vreshtat e fiqtë, pemët e tokave të tyre i theu.

34Foli dhe ia behën karkalecat, vemje, që s'kishin të numëruar.

35Ua hëngrën gjithë bimësinë e vendit, prodhimet e tokës ua përpinë.

36Goditi gjithë të parëlindurit e vendit, frytin e parë të pjellorisë së tyre.

37I nxori izraelitët me argjend e me ar, ndër fiset e tyre s'kish njeri të këputur.

38U gëzua Egjipti kur ata u nisën, se i kishte zënë tmerri prej tyre.

39Renë shtriu për t'i mbuluar, zjarrin për t'u bërë dritë natën.

40Kërkuan e shkurta u dërgoi, me bukë prej qiellit i ngiu.

41Çau shkëmbin e buruan ujëra, lumenj rrodhën nëpër shkretëtirë.

42I ra ndër mend fjala e tij e shenjtë, që Abrahamit, shërbëtorit të tij, i kishte thënë.

43Popullin e vet e nxori me ngazëllim, plot gëzim të zgjedhurit e tij.

44Tokat e kombeve u dha, mundin e popujve trashëguan,

45që të mbajnë rregullat e tij e të zbatojnë ligjet e tij. Aleluja!

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Psalms 105.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.