Psalms 104
1 Bekoje Zotin, o shpirti im! O Zot, Perëndia im, sa i madhërishëm je! Je veshur me shkëlqim e lavdi,
2 dhe mbështillesh me dritën si me rrobë. Qiellin e shtrin porsi tendë,
3 banesat e tua të larta mbi ujëra i ndërton, retë i bën si karrocë për vete dhe ecën mbi krahët e erës.
4 Erërat i bën lajmëtarë të tu, flakët e zjarrit shërbestarë të tu.
5 Tokën e vendose mbi themelet e saj, nuk do të lëkundet kurrë.
6 E mbulove me humnerë si me rrobë, ujërat qëndruan mbi male.
7 Prej qortimit tënd ikin, prej zërit të gjëmimit tënd marrin arratinë.
8 Ngjiten maleve, zbresin fushave, drejt vendit që u caktove.
9 U vure kufi që të mos e kapërcejnë e të mos kthehen për të mbuluar tokën.
10 Ti i dërgon burimet ndër përrenj, mes maleve ato rrjedhin.
11 U japin ujë gjithë kafshëve të fushës, gomarëve të egër u shuajnë etjen.
12 Pranë tyre banojnë zogjtë e qiellit, mes degëve dëgjohet kënga e tyre.
13 Prej banesave të tua të larta u jep ujë maleve, toka ngopet me frytet e duarve të tua.
14 Ti rrit barin për bagëtinë e bimët në dobi të njeriut, që të nxjerrë ushqimin nga toka,
15 verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që i ndriçon fytyrën e bukën që i forcon zemrën.
16 Ngihen drurët e Zotit, cedrat e Libanit që ai mbolli.
17 Atje bëjnë fole zogjtë, bredhat janë banesa e shtërgut.
18 Malet e larta janë për dhitë e egra, shkrepat strehë për vjedullat.
19 Bëre hënën për të shënuar stinët dhe dielli e di kur të perëndojë.
20 Hedh errësirën e bëhet natë, nëpër të enden gjithë egërsirat e pyllit.
21 Këlyshët e luanëve ulërijnë për gjah, nga Perëndia kërkojnë ushqim.
22 Kur lind dielli, mblidhen e shtrihen nëpër strofkat e tyre.
23 Njeriu del për punë e lodhet deri në mbrëmje.
24 Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Të gjitha i ke bërë me urti! Toka është plot me krijesat e tua.
25 Ja deti i madh e i gjerë! Atje ka zvarranikë të panumërt, gjallesa të vogla e të mëdha.
26 Atje lundrojnë anije, Leviatani që krijove për të luajtur në të.
27 Të gjitha presin prej teje ushqimin në kohën e duhur.
28 Ti u jep, ato mbledhin, ti hap dorën, ato ngihen me të mira.
29 Ti fsheh fytyrën, ato tmerrohen, ua heq frymën, ato ngordhin e kthehen përsëri në pluhur.
30 Ti dërgon frymën tënde, ato krijohen, ti përtërin faqen e tokës.
31 Lavdia e Zotit qëndroftë përjetë! U gëzoftë Zoti për veprat e tij!
32 Ai hedh sytë mbi tokë e ajo dridhet, prek malet e nxjerrin tym.
33 Do t'i këndoj Zotit gjithë jetën time, do ta përhimnoj Perëndinë tim sa të jem gjallë.
34 I pëlqeftë kënga ime e unë do të ngazëllej në Zotin.
35 U zhdukshin mëkatarët nga toka, të paudhët mos qofshin më. Bekoje Zotin, o shpirti im! Aleluja!