Psalms 102
1 Lutje e të mjerit, kur është i hidhëruar dhe brengën e tij e nxjerr para Zotit.
2 O Zot, dëgjoje lutjen time e klithma ime ardhtë te ti.
3 Mos e fshih fytyrën tënde prej meje ditën e fatkeqësisë sime, prire veshin tënd drejt meje ditën që të thërras e dëgjomë sa më shpejt.
4 Se ditët e mia po zhduken si tymi, eshtrat po më bëhen shkrumb si prushi.
5 Zemra po më vyshket si bari e po thahet, kam harruar të ha edhe bukën time.
6 Prej ofshamës së rënkimit tim jam bërë kockë e lëkurë.
7 Jam bërë si pelikani në shkretëtirë, i ngjaj kukuvajkës ndër rrënoja.
8 Gjumi nuk më merr, jam si trumcaku i vetmuar mbi çati.
9 Armiqtë më përqeshin tërë ditën, edhe ata që më thurin lavde nëmin në emrin tim.
10 Po ha hi si bukë, pijen e përziej me lot.
11 Për shkak të zemërimit e furisë sate, lart më ngrite, por mandej më plandose.
12 Ditët e mia janë si hija e muzgut e unë po thahem si bari.
13 Por ti, o Zot, mbetesh në amshim, kujtimi yt brez pas brezi.
14 Do të ngrihesh e do të kesh dhembshuri për Sionin, se erdhi koha të tregohesh i mëshirshëm me të; po, erdhi koha e caktuar!
15 Shërbëtorët e tu i duan gurët e tij, u dhimbset edhe pluhuri i tij.
16 Atëherë kombet do ta druajnë emrin e Zotit e gjithë mbretërit e tokës lavdinë e tij,
17 kur Zoti ta ndërtojë Sionin e në lavdinë e tij të shfaqet.
18 Përgjërimin e të mjerëve e vuri re dhe lutjen e tyre nuk e shpërfilli.
19 Le të shkruhet kjo për brezninë e ardhshme dhe populli, që do të krijohet, le të lavdërojë Zotin.
20 Se Zoti pa nga shenjtërorja e tij e lartë, prej qiellit hodhi vështrimin e tij mbi tokë,
21 për të dëgjuar rënkimin e të robëruarve, për të shpëtuar të dënuarit me vdekje,
22 që emri i Zotit të shpallet në Sion dhe lavdërimi i tij në Jerusalem,
23 kur popujt të mblidhen tok, kur mbretëritë t'i shërbejnë Zotit.
24 Udhës ai m'i pakësoi fuqitë e ditët m'i shkurtoi.
25 E thashë: «O Perëndia im, vitet e tua mbeten brez pas brezi; mos më merr në mes të ditëve të mia!
26 Së lashti ti themelove tokën, qiejt janë vepra e duarve të tua.
27 Do të marrin fund, por ti do të mbetesh; të gjitha do të vjetrohen si rrobë, do t'i ndërrosh si petk e do të brehen.
28 Ti do të mbetesh po ai dhe vitet e tua nuk do të kenë fund.
29 Bijtë e shërbëtorëve të tu do të kenë një vendbanim, pasardhësit e tyre do të jenë të fortë para teje».