1Shpallje për Ninivën. Libri i Vegimeve të Naumit prej Elkoshit.
2«Perëndia është Zot xheloz e hakmarrës, hakmarrës është Zoti e Zot plot tërbim. Hak merr Zoti kundër armiqve të tij e shpërthen me tërbim ndaj kundërshtarëve të tij.
3Zoti është i ngadaltë në zemërim, i madhërishëm në fuqi, fajtorin nuk e lë pa ndëshkim. Zoti rrugëton në furtunë e stuhi, si pluhur i shkel retë këmba e tij.
4Qorton detin, e than atë, tërë lumenjtë i shteron. U mpak Bashani e Karmeli, u venit lulëzimi i Libanit.
5Prej tij malet tranden e kodrat dridhen. Para tij gulçon toka, bota e mbarë banorët e saj.
6Kush mund t'i bëjë ballë furisë së tij? Kush mund ta durojë zemërimin e tij? Porsi zjarri e derdh tërbimin, para tij shkërmoqen shkëmbinjtë.
7Zoti është i mirë, strehë në ditë të vështirë. I njeh ata që strehon te vetja.
8Por Ninivën e përmbyt e i jep fund, armiqtë i ndjek nëpër errësirë.
9Ç'po thurni kundër Zotit? Ai i jep fund gjithçkaje, ndaj telashe s'do të ketë më.
10Ata janë si lëmsh ferrash, të dehur si pijanecë. Do të përpihen si kashta e tharë krejt.
11Prej teje doli, ai që kundër Zotit ligësi kurdis. Këshilltar i mbrapshtë është ai.
12Kështu thotë Zoti: “Ndonëse janë të përkryer e të shumtë, do të korren e do të marrin fund. E ndonëse ty të ndëshkova, s'do ta bëj më kurrë.
13Tani, do ta thyej zgjedhën që ke në qafë, vargonjtë do të t'i këpus”.
14Për ty Zoti urdhëroi: “Emri yt nuk do të trashëgohet më. Do t'i zhbij idhujt e gdhendur e të metaltë prej shtëpisë së Perëndisë tënd. Do të të shtie në varr, se je pa vlerë”».