Mark 7
1 Farisenjtë e shkruesit që kishin ardhur nga Jerusalemi u mblodhën pranë tij.
2 Ata panë disa prej dishepujve të tij që po hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara.
3 Farisenjtë dhe të gjithë judenjtë nuk hanë pa i larë duart me kujdes deri në bërryl, sipas traditës së të parëve
4 dhe, pasi kthehen nga tregu, nuk hanë pa u larë. Janë edhe shumë gjëra të tjera, që sipas traditës duhet t'i ruajnë, si larje gotash, brokash, enësh bakri e shtretërish.
5 Prandaj farisenjtë e shkruesit e pyetën: «Pse dishepujt e tu nuk ndjekin traditën e të parëve, por hanë bukë me duar të palara?».
6 Por ai u tha: «Hipokritë! Mirë profetizoi Isaia për ju kur shkroi: ky popull më nderon me buzë, por zemrat e tyre janë larg meje.
7 Më kot më nderojnë, përderisa japin si mësim të Zotit urdhrat e njerëzve.
8 Ju lini pas dore urdhërimin e Perëndisë për t'iu përmbajtur traditës së njerëzve ».
9 Dhe u tha: «Ju shpërfillni pa të keq urdhërimin e Perëndisë, për të mbajtur traditën tuaj.
10 Në të vërtetë Moisiu ka thënë: ndero atin tënd e nënën tënde dhe kush flet keq për të atin e të ëmën, të dënohet me vdekje.
11 Por ju thoni: “Nëse dikush i thotë të atit apo të ëmës se ndihmën që do t'ju jepja po e bëj korban, ‘që do të thotë dhuratë për Perëndinë’,
12 atëherë ai është i çliruar nga detyrimi për të ndihmuar të atin apo të ëmën”.
13 Kështu, ju shfuqizoni fjalën e Perëndisë me anë të traditës që keni trashëguar. Ju bëni edhe shumë gjëra të ngjashme me këto».
14 Jezui e thirri sërish turmën pranë vetes e tha: «Dëgjomëni të gjithë e merrni vesh!
15 Njeriun nuk mund ta ndotë asgjë që hyn tek ai nga jashtë, por e ndotin ato që dalin prej tij».
16 ...
17 Kur u nda nga turma e hyri në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën për shëmbëlltyrën.
18 Ai u tha: «As ju nuk e keni kuptuar? A nuk e kuptoni se njeriun nuk mund ta ndotë çfarë hyn tek ai nga jashtë,
19 se nuk hyn në zemër, por në bark e pastaj jashtëqitet?». Kështu Jezui i shpalli të pastra të gjitha ushqimet.
20 Dhe vazhdoi: «Çfarë del prej njeriut është ajo që e ndot njeriun,
21 se prej zemrës së njeriut dalin mendimet e liga, kurvëritë, vjedhjet, vrasjet,
22 tradhtitë bashkëshortore, grykësitë, ligësitë, dinakëria, fëlligështia, smira, fyerjet, mburrja e marrëzia.
23 Të gjitha këto gjëra dalin nga brenda dhe e ndotin njeriun».
24 Jezui u nis prej aty e shkoi në krahinën e Tirit. Ai hyri në një shtëpi dhe kjo nuk mundi të mbetej e fshehtë, megjithëse Jezui nuk donte që të merrej vesh.
25 Menjëherë një grua, bija e së cilës ishte e pushtuar nga një shpirt i ndyrë, dëgjoi të flitej për të dhe erdhi e i ra ndër këmbë.
26 Kjo grua ishte helene, me prejardhje sirofenikase, dhe i lutej të dëbonte djallin prej së bijës.
27 Dhe ai i tha: «Le të ngopen fëmijët më parë, se nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t'ua hedhësh qenve».
28 Ajo u përgjigj: «Zot, edhe qentë nën tryezë hanë thërrimet e fëmijëve!».
29 Atëherë ai i tha: «Për hir të fjalëve që the, shko! Djalli ka dalë prej bijës sate».
30 Ajo u kthye në shtëpi dhe e gjeti fëmijën të shtrirë në shtrat. Djalli kishte dalë.
31 Pastaj, ndërsa po kthehej nga krahina e Tirit, shkoi nëpër Sidon drejt liqenit të Galilesë, përmes krahinës së Dekapojës.
32 Aty i sollën një të shurdhët që fliste me vështirësi e iu lutën të vinte duart mbi të.
33 Si e ndau veç nga turma, ia vuri gishtat në veshë. Pastaj ia preku gjuhën me pështymë,
34 ngriti sytë drejt qiellit, psherëtiu e i tha: «Effatha!», që do të thotë «Hapu!».
35 Menjëherë atij iu hapën veshët, iu zgjidh gjuha e filloi të fliste rrjedhshëm.
36 Jezui i porositi që të mos i tregonin askujt, por sa më shumë i porosiste, aq më shumë e shpallnin
37 dhe, të mrekulluar tej mase, thoshin: «Të gjitha gjërat i ka bërë mirë. Ai i bën të shurdhët të dëgjojnë e memecët të flasin».