Mark 6AL1

1Si iku që andej, Jezui shkoi në vendlindjen e tij dhe dishepujt i shkuan pas.

2Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë njerëzit në sinagogë e shumë nga ata që e dëgjonin mrekulloheshin e thoshin: «Nga i vijnë këto gjëra? Ç'është kjo dituri që i është dhënë e këto mrekulli që bëhen prej duarve të tij?

3A nuk është ky zdrukthëtari, i biri i Marisë, vëllai i Jakobit, i Josesë, i Judës e i Simonit? A nuk janë edhe motrat e tij këtu te ne?». Dhe kjo i pengonte të besonin në të.

4Por Jezui u tha: «Asnjë profet nuk përçmohet askund, përveçse në vendlindjen e tij, te të afërmit e tij e në shtëpinë e tij».

5Dhe atje nuk mundi të bënte asnjë mrekulli, përveçse shëroi disa të sëmurë, duke vënë duart mbi ta.

6Ai u çudit për shkak të mosbesimit të tyre. Kështu, Jezui shkonte nëpër fshatra e mësonte njerëzit.

7Ai i thirri pranë vetes të dymbëdhjetët e filloi t'i dërgojë dy nga dy. U dha pushtet mbi shpirtrat e ndyrë

8e i porositi që të mos merrnin asgjë me vete për udhëtim përveç një shkopi, të mos merrnin as bukë, as trastë, as para në brez,

9por të vishnin sandalet e të mos mbanin dy tunika.

10Pastaj u tha: «Qëndroni në shtëpinë ky hyni, derisa të niseni prej aty.

11E nëse ka ndonjë vend ku nuk do t'ju pranojnë e nuk do t'ju dëgjojnë, kur të dilni që andej, shkundni pluhurin nga këmbët, si dëshmi për ta ».

12Dishepujt u nisën e predikonin që njerëzit të pendoheshin

13si dhe dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë e i shëronin.

14Mbreti Herod dëgjoi për Jezuin, sepse emri i tij ishte bërë i njohur e disa thoshin: «Gjon Pagëzori është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto fuqi në të».

15Disa të tjerë thoshin: «Ky është Elia». Dhe të tjerë: «Ky është profet si profetët e tjerë».

16Kur i dëgjoi këto gjëra, Herodi tha: «Ky është Gjoni, të cilit i preva kokën dhe është ngjallur».

17Në të vërtetë, Herodi ishte ai që kishte dërguar njerëz për ta kapur Gjonin, për ta lidhur e për ta futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, me të cilën ishte martuar.

18Gjoni i kishte thënë Herodit: «Nuk të lejohet të marrësh gruan e vëllait tënd».

19Herodiada e urrente për këtë dhe donte ta vriste, por nuk mundte,

20se Herodi e kishte frikë Gjonin, meqenëse e njihte si njeri të drejtë e të shenjtë; prandaj e mbronte. Atij nuk i vinte mirë nga ato që dëgjonte prej Gjonit, por e dëgjonte me ëndje.

21Një ditë erdhi rasti i duhur kur Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi një darkë për të mëdhenjtë, për kryemijësit e për parinë e Galilesë.

22Bija e Herodiadës kërceu një valle që i pëlqeu Herodit e të ftuarve. Atëherë mbreti i tha vajzës: «Më kërko çfarë të duash e unë do të ta jap».

23Dhe iu betua: «Çfarëdo që të më kërkosh do të ta jap, deri edhe gjysmën e mbretërisë sime!».

24Ajo doli e i tha së ëmës: «Çfarë të kërkoj?». Ajo i tha: «Kokën e Gjon Pagëzorit».

25Në çast u kthye me nxitim te mbreti e i bëri këtë kërkesë: «Dua që të më japësh menjëherë kokën e Gjon Pagëzorit në një pjatë».

26Mbreti u trishtua shumë, por nuk deshi ta shkelte premtimin për shkak të betimit e të të ftuarve.

27Menjëherë mbreti dërgoi një rojë dhe e urdhëroi të sillte kokën e Gjonit. Roja shkoi e ia preu kokën në burg,

28pastaj e solli kokën e tij në një pjatë, ia dha vajzës e vajza së ëmës.

29Dishepujt e Gjonit, sapo e morën lajmin, erdhën e morën kufomën e tij dhe e vunë në një varr.

30Apostujt u mblodhën pranë Jezuit e i treguan për gjithçka kishin bërë e u kishin mësuar njerëzve.

31Ai u tha: «Ejani veçmas në një vend të vetmuar që të pushoni pak!». Në të vërtetë, aq shumë njerëz vinin e shkonin, saqë nuk kishin kohë as të hanin.

32Kështu u nisën me varkë drejt një vendi të shkretë për të ndenjur vetëm.

33Kur i panë se po largoheshin, shumë veta e kuptuan këtë dhe nga të gjitha qytetet vrapuan e arritën përpara tyre.

34Ndërsa po zbrisnin nga varka, Jezui pa një turmë të madhe, e cila iu dhimbs, se ishin si delet pa bari. Atëherë filloi t'u mësonte shumë gjëra.

35Tashmë ishte bërë vonë, prandaj dishepujt iu afruan e i thanë: «Vendi është i shkretë e është bërë vonë.

36Lëri të shkojnë nëpër fushat e fshatrat përreth, që të blejnë diçka për të ngrënë!».

37Ai u përgjigj: «Jepuni ju të hanë!». Ata i thanë: «A të shkojmë të blejmë dyqind denarë bukë, që t'u japim për të ngrënë?».

38Jezui u tha: «Sa bukë keni? Shkoni e shikoni». Ata e dinin, prandaj i thanë: «Pesë bukë e dy peshq».

39Atëherë ai u dha urdhër dishepujve t'i ulnin të gjithë në grupe mbi barin e gjelbër.

40Ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë.

41Pasi mori pesë bukët e dy peshqit, Jezui ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, theu bukët e ua dha dishepujve të vet, që t'i shtronin. Edhe dy peshqit ua ndau të gjithëve.

42Të gjithë hëngrën e u ngopën

43dhe mblodhën copat që tepruan, aq sa u mbushën dymbëdhjetë shporta, bashkë me çka teproi nga peshqit.

44Ata që hëngrën bukët ishin pesë mijë burra.

45Menjëherë Jezui i urdhëroi dishepujt të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, nga ana e Betsaidës, derisa ai të shpërndante turmën.

46Si u nda prej tyre, shkoi në mal për t'u lutur.

47Kur ra mbrëmja, varka ishte në mes të liqenit dhe ai gjendej i vetëm në breg.

48Jezui pa se dishepujt ishin lodhur duke vozitur, se kishin erën kundër dhe, në të gdhirë, erdhi drejt tyre duke ecur mbi liqen e donte t'i kalonte.

49Kur e panë duke ecur mbi liqen, menduan se ishte fantazmë e bërtitën,

50sepse të gjithë e kishin parë e ishin trembur. Por menjëherë ai u tha: «Merrni zemër! Jam unë. Mos kini frikë!».

51Pastaj hipi në varkë tek ata dhe era pushoi. Ata u çuditën së tepërmi.

52Nuk kishin kuptuar asgjë për bukët, se zemra e tyre ishte ngurtësuar.

53Si kaluan në bregun tjetër, arritën në krahinën e Gjenesaretit dhe lidhën varkën.

54Sapo dolën nga varka, njerëzit e njohën menjëherë Jezuin

55dhe vrapuan nëpër gjithë atë krahinë e filluan të mbartnin të sëmurët në vigje e t'ia sillnin kudo që merrnin vesh se ishte.

56Kudo që hynte, në fshatra, në qytete a nëpër ara, vendosnin të sëmurët nëpër sheshe e i luteshin t'i preknin së paku cepin e gunës. Të gjithë ata që e preknin, shëroheshin.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Mark 6.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.