1Atëherë Elifaz Temaniti u përgjigj e tha:
2«A mund të flitet me ty, apo s'ke durim? Po kush mund të rrijë pa folur?
3Ja, shumë veta ke mësuar e duart e mekura ke përtërirë.
4Fjalët e tua kanë ringritur të rrëzuarit e gjunjëprerët ke mëkëmbur.
5Tani e ke radhën ti e nuk duron, të ra ty e u trullose.
6A nuk ke besim te droja e Perëndisë e shpresë te sjellja e përsosur?
7Thirri mendjes, cili i pafajshëm u rrënua? Ku është ai i drejtë që u shkatërrua?
8Me sa kam parë unë, kush mih ligësi e mbjell prapësi, ato edhe korr.
9Ata i rrënon puhiza e Perëndisë, i fundos fryma e zemërimit të tij.
10Ulërin luani, bërtet egërsira e dhëmbët e këlyshit bëhen copë.
11Luani ngordh se s'ka pre e shpërndahen këlyshët e tij.
12Tinëz më erdhi fjala, pëshpërima e saj më ra në vesh.
13Në trazimin e vegimeve të natës kur njerëzinë e zë gjumë i thellë,
14më zuri tmerri e drithërima, edhe eshtrat m'u drodhën.
15Një frymë ma përshkoi fytyrën e m'u ngritën qimet përpjetë.
16U ndal, por s'ia njoha pamjen: një trajtë para syve të mi. Heshtje. Pastaj një zë dëgjova:
17“A ka vdekatar të drejtë para Perëndisë? A ka njeri të pastër para krijuesit të vet?”.
18As shërbëtorëve s'u zë besë, edhe engjëjve ua gjen një të metë.
19Aq më shumë banorëve të qerpiçëve, që i kanë themelet në pluhur e shkelen porsi tenja.
20Shkërmoqen sa gdhin e ngryset. Papandehur, zhduken përgjithmonë.
21U këputet filli e vdesin pa urti».