Job 31AL1

1«Me sytë e mi besë kisha lidhur asnjë virgjëreshë për të mos e këqyrur.

2Ç'hise më ra së larti prej Perëndisë, ç'trashëgim nga lart prej të gjithëpushtetshmit?

3A nuk i bie zezona të ligut, a nuk i godet kobi keqbërësit?

4A nuk e sheh ai sjelljen time? A s'i numëron tërë hapat e mi?

5Po të kem jetuar me mashtrim e po të ketë rendur këmba ime drejt dredhisë,

6le të më peshojë me peshoren e drejtësisë e Perëndia do ta njohë përsosjen time.

7Nëse hapat e mi e lanë rrugën, nëse zemra ndoqi lakminë e syve, e nëse duart m'u ndynë,

8unë mbjellsha, një tjetër ngrëntë e u zhbiftë fara ime!

9Nëse ndonjë grua zemrën ma joshi e nëse mikut te dera pritë i vura,

10për tjetërkënd bluajtë gruaja ime e tjetërkush u shtriftë mbi të,

11se diçka e tillë është poshtërsi e gjyq lyp e tillë ligësi,

12ndaj zjarri përpiftë deri edhe humnerën dhe e shkretoftë të vjelën time.

13Nëse s'ia dhashë të drejtën skllavit apo skllaves që tek unë u ankuan,

14ç'të bëj kur Perëndia të ngrihet? Në më hetoftë, si t'i përgjigjem?

15A s'i krijoi edhe ata, ai që mua më krijoi? A s'na vendosi ai njësoj në bark të nënës?

16Mos vallë skamnorëve dëshirat s'ua plotësova e i lashë të lëngojnë sytë e të vejave?

17Apo vetë e hëngra kafshatën e jetimët prej saj nuk hëngrën?

18Që në rini si atë e rrita, që prej barkut të nënës unë i priva.

19Mos vallë kur pashë një të gjorë pa petka e një nevojtar pa mbulojë,

20s'më bekuan ijët e tij? A s'u ngroh ai me leshin e shqerrës sime?

21Po të kem ngritur dorë ndaj jetimit, pasi pashë se në gjyq më përkrahin,

22supi nga shpatulla m'u shkultë e krahu në bërryl m'u këputtë,

23se më tmerron kobi i Perëndisë e madhështisë së tij nuk i bëj dot ballë.

24A e vara unë shpresën tek ari? Po arin e kulluar, “besimi im” e quajta?

25A mos u ngazëlleva për begatinë e madhe apo se dora ime mblodhi shumë?

26Nëse e pashë dritën të ndriçojë e hënën të ecë feksur

27dhe zemra fshehtas aq m'u gënjye sa me dorë nga buzët puthje t'u dërgoja,

28faj për t'u gjykuar edhe ky do të ishte, se Perëndinë e tejlartë do ta mohoja.

29A u gëzova unë për kob të armikut tim? A u ngazëlleva pse i ra e liga?

30S'e lashë gojën time të mëkatojë, duke lëshuar nëmë mbi jetën e tij.

31Po a nuk thoshin njerëzit e tendës sime: “Kush s'u ngop me mishin që ai i dha?”.

32Udhëtari kurrë në rrugë nuk bujti, se shtegun e derës sime hapur ia lashë.

33Mos vallë si Adami fajin tim e fsheha? Mos në kraharor e ndryva ligësinë,

34a thua se druaja turmën e madhe e përbuzja e fisit sikur më trembte sa gojën të mbyllja e nga dera të mos dilja?

35Ah, sikur dikush të më dëgjonte! Ja nënshkrimi! Të më përgjigjet i gjithëpushtetshmi! Se librin që shkroi paditësi im

36e mbaj mbi shpatulla, e thur kurorë për vete.

37Çdo hap atij do t'ia tregoj, si princ atij unë do t'i qasem.

38Nëse vikati toka kundër meje e nëse brazdat qajnë me të,

39nëse frytin pa pagesë ia hëngra e nëse bujqve të saj ua mora shpirtin,

40në vend të grurit gjemba le të qesë e në vend të elbit egjër». Mbarojnë fjalët e Jobit.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Job 31.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.