Job 15AL1

1Elifaz Temaniti u përgjigj e tha:

2«A përgjigjet i urti me fjalë që i merr era? A e mbush barkun me erën e lindjes?

3A mbrohet me fjalë të kota e me shprehje pa dobi?

4Por ti po e çart drojen, po shpërfill lutjen para Perëndisë,

5se faji yt e mëson gojën tënde e ti zgjedh gjuhën e dinakëve.

6Goja jote të dënon e jo unë, buzët e tua dëshmojnë kundër teje.

7A je ti njeriu i parë që u lind? A para kodrave u përftove?

8Mos ke përgjuar shestimet e Perëndisë dhe e mban urtinë për vete?

9Çfarë di ti, që ne s'e dimë? Çfarë kupton ti, që ne s'e marrim vesh?

10Ka ndër ne të thinjur e pleq, më të moçëm se yt atë.

11A pak janë për ty ngushëllimet e Perëndisë e fjala e butë që të drejtohet?

12Pse të gulçon zemra e të flakërojnë sytë,

13kur kthehesh kundër Perëndisë e fjalët nga goja të rrjedhin?

14Çfarë është njeriu që të jetë i pastër? A është i drejtë kush lindi prej gruaje?

15Perëndia s'beson as te shenjtorët e vet e para tij as qielli s'është i pastër,

16pale njeriu i pështirë e i çartur, që e pi ligësinë si ujë.

17Ta shpjegoj unë, më dëgjo! Do të të tregoj ç'kam parë,

18çfarë rrëfyen të urtët, që të parët e tyre nuk ua fshehën.

19Vetëm atyre u qe dhënë toka e asnjë i huaj nuk kaloi mes tyre.

20Keqbërësin e kaplon ankthi përditë e mujshari i ka vitet të numëruara.

21Klithma e tmerrit i gjëmon në veshë e kur është i qetë e sulmon kusari.

22Ai nuk shpreson se mund të dalë nga terri dhe e di se shpata e pret.

23Bredh e kërkon bukë: “Ku ka?”, por e di se i erdhi dita e zezë.

24Ankthi e mundimi e tmerrojnë dhe e mposhtin, si mbreti i gatshëm për sulm.

25Ngre dorë kundër Perëndisë, krekoset kundër të gjithëpushtetshmit,

26sulet kundër tij kryeneç, i mbrojtur me shqyt të trashë,

27me fytyrë të majme e me dhjamë në ijë.

28Banonte në qytetin plojë, në shtëpi të shkretuara, kthyer në rrënoja.

29Nuk do të pasurohet e nuk do t'i zgjasë fati, as do të zërë rrënjë në dhe.

30Nuk do t'i shpëtojë errësirës, sythat zjarri do t'ia thajë e lulet era do t'ia marrë.

31Të mos i zërë besë kotësisë e të mos gënjehet, se me kotësi do të shpërblehet.

32Pa i ardhur dita do të vyshket e nuk do të harliset dega e tij.

33Do të shkundet si hardhia para se të piqet rrushi, e si ulliri në lule do të harret.

34Shoqëria e të pafeve është shterpë dhe shtëpinë e mitëmarrësit zjarri e përlan.

35Kush ngjiz trazirë, pjell ligësi e në barkun e tyre gatitet mashtrimi».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Job 15.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.