Jeremiah 10AL1

1Dëgjojeni fjalën që ju drejton Zoti, o shtëpia e Izraelit.

2Kështu thotë Zoti: «Mos i mësoni udhët e kombeve e mos u tmerroni nga shenjat e qiellit, meqë prej tyre kanë frikë kombet,

3se doket e kombeve janë kotësi, se idhujt janë një dru i prerë nga pylli, latuar me sëpatë nga dora e zejtarit.

4I zbukurojnë me argjend e ar, i kapin me gozhdë e çekanë, që të mos lëkunden.

5Si dordoleci në arë trangujsh janë e nuk flasin, duhet t'i mbartin, se nuk ecin dot. Mos kini frikë prej tyre, se nuk bëjnë dëm e nuk është në dorën e tyre as të bëjnë mirë».

6Askush nuk është si ti, o Zot. Ti je i madh e i madh është emri yt i fuqishëm.

7Kush nuk do të ta ketë frikën, o mbreti i kombeve? Vetëm ty të takon, se ndër gjithë të urtët e kombeve e në mbarë mbretëritë e tyre nuk ka si ti.

8Janë tok të marrë e të pamend, mësimi i tyre është kotësi, një copë dru është.

9Është argjend i rrahur, sjellë nga Tarshishi, dhe ar nga Ufazi, vepër zejtari e argjendari, veshur me vjollcë e me purpur të gjitha me mjeshtëri punuar.

10Por Zoti është vërtet Perëndi, Ai është Perëndia i gjallë e mbreti i amshuar. Prej zemërimit të tij dridhet toka, kombet nuk e durojnë furinë e tij.

11Kështu do t'u thuash: «Perënditë, që nuk bënë qiellin e tokën, do të zhbihen mbi tokë e nën qiell».

12Ai e bëri tokën me fuqinë e vet, me urtinë e vet e themeloi botën, qiejt me mençuri i shpalosi.

13Me ushtimën e tij trazohen ujërat në qiell, nga skaji i dheut i ngre retë, ai e lëshon vetëtimën në shi dhe nxjerr erën nga qilarët e vet.

14Çdo njeri hutohet nga padija, çdo farkëtar turpërohet prej idhujve, se e gënjeshtërt është çfarë ka farkëtuar e frymë në to nuk ka.

15Ato janë kotësira, vepra qesharake, në kohën e ndëshkimit, do të rrënohen.

16Nuk është kështu ai që i ka rënë për pjesë Jakobit, se ai i dha trajtë gjithçkaje, Izraeli është fisi i trashëgimisë së tij. Zot i ushtrive është emri i tij.

17Mblidh trastat nga toka, o ti që banon i rrethuar,

18se kështu thotë Zoti: «Ja, do t'i flakëroj banorët e tokës këtë herë, do t'i zë ngushtë, që ta marrin vesh».

19Mjerë unë, për plagën time! Plaga ime është e rëndë, por thashë: «Është lëngata ime, duhet ta duroj».

20Tenda ime u rrënua, të gjitha tejzat iu këputën. Bijtë e mi ikën e më nuk janë, nuk ka kush e ngre sërish tendën time, nuk ka kush i ndeh pëlhurat.

21Se barinjtë u marrosën e nuk e pyesin Zotin, prandaj nuk u ecën mbarë e grigjat u janë shpërndarë.

22Dëgjohet një zë. Ja, po vjen. Një dridhmë e madhe nga dheu i veriut, për t'i shkretuar qytetet e Judës, për t'i kthyer në strofuj çakejsh.

23E di, o Zot, njeriu nuk e ka në dorë fatin e vet, njeriu ecën, por nuk i drejton dot hapat e veta.

24Ndreqmë, o Zot, por me drejtësi, jo me zemërimin tënd, që të mos më mpakësh.

25Derdhe hidhërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin, mbi fiset që nuk thërrasin emrin tënd, se e gllabëruan Jakobin, e përpinë e i dhanë fund, e shkretuan vendbanimin e tij.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Jeremiah 10.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.