Isaiah 58AL1

1Bërtit fort! Mos u përmba! Ngrije zërin porsi boria! Shpallja popullit tim paudhësitë e veta, shtëpisë së Jakobit mëkatet e veta.

2Ditë për ditë më kërkojnë, udhët e mia duan t'i njohin, si të ishin një popull, që zbaton drejtësinë, që nuk i braktis vendimet e Perëndisë. Kërkojnë prej meje gjykim të drejtë, dëshirojnë t'i afrohen Perëndisë.

3«Përse të agjërojmë, kur ti nuk shikon?», thonë. «Përse ta mundojmë veten, kur ti nuk do t'ia dish?». Ja, ditën e agjërimit ju bëni si doni e të gjithë punëtorët tuaj në punë i mbytni.

4Ju agjëroni mes grindjesh e zënkash, njëri-tjetrin pabesisht me grusht e gjuani. Nëse agjëroni si sot, zëri juaj lart nuk do të dëgjohet.

5Përse, i tillë qenka agjërimi që unë pëlqej? E tillë dita kur njeriu përul shpirtin e tij? Të ulësh kokën porsi xunkthi e të shtrihesh në grathore e në hi, pse, këtë quan agjërim e ditë që i pëlqen Zotit?

6Agjërimi që më pëlqen mua, a s'është vallë të këputësh vargonjtë e paudhësisë, të zgjidhësh litarët e zgjedhës, të lësh të lirë të shtypurit, të dërrmosh çdo zgjedhë?

7A s'është ta ndash bukën me të uriturin, të presësh në shtëpi të varfrin e pastrehë, ta shohësh dikë të zhveshur e ta veshësh, dhe farefisin tënd të mos e lësh pas dore?

8Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi, shërimi yt do të gëlojë me vrull, përpara do të të prijë drejtësia jote, praparojë do të kesh lavdinë e Zotit.

9Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë, do t'i kërkosh ndihmë e do të të përgjigjet: «Ja, ku jam!». Nëse heq dorë prej zgjedhës, prej gishtit paditës e fjalëve të liga,

10nëse jepesh me shpirt ndaj të pangrënit, nëse ia ngin barkun skamnorit, atëherë drita jote do të shndritë në errësirë e terri yt do të jetë porsi mesdita.

11Zoti do të të prijë përherë, do të ta kënaqë shpirtin në shkreti, do t'i forcojë kockat e tua, e ti do të jesh si kopshti i ujitur, porsi burimi i ujërave që nuk shterojnë kurrë.

12Njerëzit e tu do t'i ndërtojnë rrënojat e lashta, do t'i ngresh sërish themelet e lëna brez pas brezi. Kështu ti do të quhesh: «Rindërtuesi i rrënojave, ndreqësi i udhëve për në vendbanim».

13Nëse e përmban këmbën, që të mos e shkelësh të shtunën, nëse nuk bën ç'të duash në ditën time të shenjtë, por e çmon si kënaqësi të shtunën, si ditën e nderuar e të shenjtë të Zotit, dhe e nderon duke mos u nisur për udhë, duke mos kryer punë e duke mos bërë marrëveshje,

14atëherë do të gjesh kënaqësi në Zotin e unë do të të bëj të kalërosh mbi lartësitë e tokës, do të të ushqej prej trashëgimisë së Jakobit, atit tënd, se kështu ka folur goja e Zotit.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Isaiah 58.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.