Isaiah 38AL1

1Asokohe Ezekia u sëmur për vdekje. Atëherë profeti Isai, biri i Amosit, shkoi tek ai e i tha: «Kështu thotë Zoti: ndreqi punët e shtëpisë sate, se nuk do të jetosh gjatë. Do të vdesësh».

2Ezekia u kthye me fytyrë nga muri, iu lut Zotit

3e tha: «Të lutem, o Zot, kujtohu se kam ecur në praninë tënde me besnikëri e me zemër të çiltër dhe kam bërë çka është mirë në sytë e ty». Dhe qau me ngashërim.

4Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Isaisë:

5«Shko e thuaji Ezekisë: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i Davidit, atit tënd: e dëgjova lutjen tënde e i pashë lotët e tu. Do të të jap edhe pesëmbëdhjetë vite jetë

6e do të të shpëtoj nga dora e mbretit të Asirisë. Do ta shpëtoj edhe këtë qytet e do ta mbroj”.

7Dhe kjo është shenja prej Zotit, se Zoti do ta përmbushë këtë fjalë që tha:

8“Ja, hijen, që ka mbuluar shkallaren e Ahazit, e cila më përpara ishte në diell, do ta kthej pas dhjetë shkallare”». Atëherë dielli u tërhoq nga dhjetë shkallaret ku kishte zbritur.

9Krijim i Ezekisë, mbretit të Judës, kur u sëmur e u shërua prej sëmundjes së tij:

10«Në gjysmën e ditëve të mia po shkoj, thosha, dënuar për te portat e skëterrës, për ato vite që më kanë mbetur.

11Nuk do ta shoh më Zotin, thosha, Zotin në tokën e të gjallëve. Nuk do të shoh më asnjërin prej banorëve të botës.

12U shkul banesa ime, u hodh larg prej meje, ashtu siç shkulet tenda e barinjve. Ma mbështolli jetën si fije endësi, nga vegja ma këputi. Nga agimi deri në mbrëmje ke për të më dhënë fund.

13Klitha deri në mëngjes, si luani po m'i shtyp kockat. Nga agimi deri në mbrëmje ke për të më dhënë fund.

14Krakëllija si lejleku e dallëndyshja, porsi pëllumbesha gugatja, sytë m'u këputën duke parë lart. O Zot, jam ngushtë, bëhu mbrojtja ime!

15Çfarë të them, që të më përgjigjet? Është ai që ka vepruar. Do të jetoj gjithë jetën me hidhërim në shpirt.

16O Zot, prej këtyre gjërave jetojnë njerëzit, prej tyre rron edhe shpirti im. Prandaj më shëro e jetën ma përtëri.

17Ja, në shëndet m'u kthye hidhërimi, shpirtin prej gropës së shkatërrimit ma shpëtove, Pas shpine ti i hodhe të gjitha mëkatet e mia.

18Se skëterra nuk të lavdëron e vdekja nuk të përlëvdon, ata që zbresin në gropë nuk shpresojnë më në besnikërinë tënde.

19I gjalli, vetëm i gjalli të lavdëron, si unë sot. Ati u mëson bijve të vet besnikërinë tënde.

20Zoti deshi e më shpëtoi, prandaj do t'i këndojmë me harpë, gjithë ditët e jetës sonë, në tempullin e Zotit ».

21Isaia tha: «Sillni një kulaç me fiq». Kulaçin ia vunë mbi plagë dhe Ezekia u shërua.

22Atëherë Ezekia tha: «Cila është shenja se do të shërohem e se do të shkoj në tempullin e Zotit?».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Isaiah 38.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.