Isaiah 37AL1

1Mbreti Ezeki, kur dëgjoi këto fjalë, shqeu rrobat, u vesh me grathore e shkoi në tempullin e Zotit.

2Mandej dërgoi te profeti Isai Eliakimin, kujdestarin e pallatit mbretëror, Shebnaun, shkruesin, dhe pleqtë e priftërinjve të veshur me grathore.

3Ata i thanë: «Kështu thotë Ezekia: “Kjo ditë është ditë hidhërimi, ndëshkimi e turpi, se fëmijët janë gati për të dalë nga barku i nënës, por ajo nuk ka fuqi t'i lindë.

4Ndoshta Zoti, Perëndia yt, i dëgjoi fjalët e kreut të zyrtarëve, që dërgoi zotëria e tij, mbreti i Asirisë, për të fyer Perëndinë e gjallë dhe e ndëshkon për fjalët, që vetë Zoti, Perëndia yt, i dëgjoi. Thuaj një lutje për tepricën që ka mbetur!”».

5Kur shërbëtorët e mbretit Ezeki mbërritën tek Isaia,

6ai u tha: «Thuajini zotërisë suaj se kështu thotë Zoti: “Mos ki frikë nga fjalët që dëgjove, me të cilat më fyen shërbëtorët e mbretit të Asirisë.

7Ja, unë do t'i dërgoj një shpirt e, sapo të marrë vesh një lajm, ai do të kthehet në vendin e tij. Atje do të bjerë prej shpatës”».

8Kreu i zyrtarëve të Asirisë u kthye ngaqë e kishte marrë vesh se mbreti i Asirisë kishte ikur nga Lakishi për të sulmuar Libnahun.

9Mbreti i Asirisë mori vesh se Tirhakahu, mbreti i Kushit, ishte nisur për ta sulmuar. Atëherë Sankeribi dërgoi sërish lajmëtarët e vet tek Ezekia e u tha:

10«Kështu do t'i thoni Ezekisë, mbretit të Judës: mos e lër Perëndinë tënd, tek i cili shpreson, të të mashtrojë duke të të thënë se Jerusalemi nuk do të bjerë në duart e mbretit të Asirisë.

11Ti e ke dëgjuar se çfarë u kanë bërë mbretërit e Asirisë të gjitha vendeve e sesi i kanë shkatërruar. Vetëm ti do të shpëtosh?

12A i shpëtuan perënditë kombet e veta? Etërit e mi shkatërruan Gozanin, Haranin, Recefin dhe edenasit që jetonin në Telasar.

13Ku janë mbreti i Hamatit, mbreti i Arpadit, mbreti i Lairit, Sefarvaimit, Henës e Avahut?».

14Ezekia mori letrën nga dora e lajmëtarëve dhe, pasi e lexoi, shkoi në tempullin e Zotit dhe e hapi rrotullën para Zotit.

15Mandej iu lut Zotit e tha:

16«O Zot i ushtrive, Perëndi i Izraelit, ti që ulesh mbi kerubë, ti je i vetmi Perëndi i të gjitha mbretërive të dheut, ti e krijove qiellin e tokën.

17Ule veshin, o Zot, e dëgjo! Hapi sytë, o Zot, e shiko! Dëgjoji fjalët që ka thënë Sankeribi për të fyer Perëndinë e gjallë.

18Është e vërtetë, o Zot, se mbretërit e Asirisë i kanë shkretuar të gjitha vendet e tokat e tyre.

19Perënditë e tyre i kanë djegur në zjarr, sepse nuk ishin perëndi, por vepër e duarve të njerëzve, idhuj druri e guri, që ata i shkatërruan.

20E tani, o Zot, Perëndia ynë, shpëtona nga duart e mbretit të Asirisë, që ta marrin vesh të gjitha mbretëritë e dheut se vetëm ti je Zoti ».

21Atëherë Isaia, biri i Amosit, i dërgoi lajm Ezekisë e i tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: më je lutur për Sankeribin, mbretin e Asirisë.

22Ja fjalët që unë, Zoti, shqiptova kundër tij: të përbuz, të përqesh virgjëresha, bija e Sionit! Prapa teje kokën tund bija e Jerusalemit.

23Me kë je tallur, kë ke fyer? Kundër kujt zërin ke ngritur e tërë mburrje e ke parë? Kundër të shenjtit të Izraelit!

24Përmes shërbëtorëve të tu ti ke fyer Zotin e me vete ke thënë: “Me karrocat e mia të shumta majë maleve u ngjita, lartësive më të thella të Libanit. Më të lartat cedra ia preva dhe pyjet më të bukura. Mbërrita në skutat e tij më të larta, në pyjet e tij më të dendura.

25Hapa puse e piva ujë, me shputat e këmbëve të mia mbarë lumenjtë e Egjiptit thava”.

26Por, a nuk ke dëgjuar vallë? Prej kohësh të lashta këtë e caktova, që nga ditët e hershme e përftova, e tash po e zbatoj. Ty të caktova të sjellësh rrënim e qytetet e fortifikuara në pirgje gërmadhash t'i kthesh.

27Banorët e tyre u tmerruan, duart iu mpinë e u drodhën. U bënë si bari i fushës e si bari i lëndinave, si bari i pullazeve, që thahet pa mbirë mirë.

28Unë e di mirë kur rri, kur hyn e kur del. Di edhe tërbimin që kundër meje ke.

29Je ndezur kundër meje e krenaria jote në vesh më erdhi, prandaj në hundë unazën do të ta vë e në gojë frerin e hekurt, që pas të të kthej udhës nga ke ardhur.

30E për ty, Ezeki, kjo do të jetë shenja: këtë vit do të hani çka është rritur vetë, vitin tjetër çka do të ketë mbirë vetë, ndërsa vitin e tretë do të mbillni e do të korrni, do të mbillni vreshta e do të hani frutat e tyre.

31Ata që do të mbesin nga shtëpia e Judës, do t'i lëshojnë rrënjët thellë në tokë e degët do t'u mbushen plot fryte.

32Prej Jerusalemit do të dalë populli i mbetur, prej malit të Sionit do të ngrihen ata që kanë shpëtuar. Këtë do ta bëjë zelli i Zotit.

33Prandaj kështu thotë Zoti për mbretin e Asirisë: ai nuk do të hyjë në këtë qytet e nuk do ta sulmojë me shigjeta. Nuk do t'i mësyjë nën mbrojtjen e shqyteve e as ledh nuk do të gërmojë rreth tij.

34Do të kthehet rrugës nga erdhi e në këtë qytet nuk do të hyjë, kumton Zoti.

35Këtë qytet do ta mbroj vetë, për vete e për hir të Davidit, shërbëtorit tim».

36Atëherë engjëlli i Zotit sulmoi fushimin e asirianëve dhe vrau njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë luftëtarë. Kur u ngritën herët në mëngjes, panë gjithë ato kufoma të vdekurish.

37Atëherë Sankeribi, mbreti i Asirisë, ngriti fushimin, u kthye pas e u vendos në Ninivë.

38E teksa po adhuronte në tempullin e Nisrokut, perëndisë së tij, Adrameleku e Sarecerin, bijtë e tij, e vranë Sankeribin me shpatë dhe ia mbathën për në Ararat. Në vend të tij mbretëroi Esarhadoni, i biri.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Isaiah 37.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.