1Ja, Zoti po e shkatërron tokën, të shkretë po e bën, faqen e saj po e shëmton, banorët po ia hapërdan.
2Do t'i ndodhë e njëjta gjë popullit e priftit, shërbëtorit e zotërisë, shërbëtores e zonjës, blerësit e shitësit, huadhënësit e huamarrësit, atij që jep e atij që merr.
3Toka do të shkatërrohet krejt, pa mëshirë do të plaçkitet, se këtë fjalë e ka thënë vetë Zoti.
4Në zi është toka, lëngon ajo, po venitet bota, po lëngon, lëngojnë edhe fisnikët e popullit të dheut.
5Prej banorëve të saj është ndotur toka, sepse ligjet i kanë shkelur, rregullat i kanë shpërfillur, besëlidhjen e amshuar e kanë thyer.
6Prandaj e ka përpirë tokën mallkimi e banorët e saj vuajnë ndëshkimin. Prandaj po shuhen banorët e tokës e kanë mbetur kaq pak njerëz.
7Vajton mushti, lëngon vreshti, rënkojnë gjithë sa u gëzonte zemra.
8Reshti hareja e dajres, u ndal brohoritja e kremtuesve, ëmbëlsia e harpës pushoi.
9S'pinë më verë duke kënduar, e hidhur është pija për atë që e pi.
10Qyteti i rrënuar u shkatërrua krejt, u mbyll çdo shtëpi, që të mos hyjë kush.
11Ankohen nëpër sheshe se nuk ka verë, gëzimi është errur, hareja e tokës është zhdukur.
12Në qytet ka mbetur veç rrënimi, porta është thyer e është copëtuar.
13Se kështu do të ndodhë në tokë, midis popujve do të ngjajë, sikurse me ullirin kur shkundet, siç mblidhen kokrrat pas vjeljes.
14Zërin do ta ngrenë, për madhështinë e Zotit do të këndojnë, nga deti do të brohorasin.
15Prandaj lavdërojeni Zotin në lindje, në ujdhesat e detit emrin e Zotit, Perëndisë së Izraelit.
16Në skajet e tokës dëgjojmë lavde. «Lavdi të drejtit!», thonë. Por unë thashë: «I gjori unë! I shkreti unë! I mjeri unë!». Të pabesët kanë thyer besën, të pabesët kanë vepruar me pabesi.
17Tmerri, gropa e laku valëviten mbi ty, o banor i tokës!
18Kush do të shpëtojë nga tmerri, do të bjerë në gropë dhe atë që do të dalë nga gropa, do ta zërë laku, se do të hapen kanatet e qiellit e do të tranden themelet e tokës.
19Thellë do të çahet toka, dheu do të kriset krejt, bota do të trandet fort.
20Do të dridhet pareshtur si i dehuri, do të lëkundet si kasollja. Rëndë peshon mbi të paudhësia, do të bjerë e s'do të ngrihet më.
21Atë ditë do t'i ndëshkojë Zoti ushtritë qiellore atje lart në lartësi e mbretërit e tokës këtu mbi dhe.
22Do të mblidhen bashkë, do të burgosen në gropë, në burg do të mbyllen e pas shumë ditësh do të ndëshkohen.
23Do të skuqet hëna, do të turpërohet dielli, se në malin e Sionit e në Jerusalem Zoti i ushtrive do të mbretërojë, dhe lavdia e tij do të shkëlqejë para pleqësisë.