Isaiah 22AL1

1Profeci për luginën e Vegimit: ç'të ka ndodhur, pra, që ke hipur i gjithi mbi çati,

2ty, o qytet plot zhurmë, qytet i trazuar, qytet plot gëzim? Të vdekurit e tu s'i vrau shpata, në luftë ata nuk ranë.

3Të gjithë prijësit e tu ia mbathën, u zunë robër e hark nuk kishin. Ç'kishte mbetur te ti u kap, u robërua pa shkuar larg.

4Prandaj po ju them: «Largojini sytë nga unë, do të qaj plot hidhërim. E mos kërkoni të më ngushëlloni për shkatërrimin e bijës së popullit tim».

5Se kjo ditë e Zotit, Zotit të ushtrive, është ditë tmerri, shkatërrimi e zvetënimi. Në luginën e Vegimit u shemb muri, britma për ndihmë dëgjohen maleve.

6Elami rroku kukurën, me qerre e me kalorës, Kiri e nxori shqytin.

7Luginat e tua më të mira me qerre e me kalorës u mbushën. Përballë portës janë rreshtuar

8e Judës i është hequr mburoja. Atë ditë i hodhët sytë nga armët e Pallatit të Pyllit.

9Patë sa të shumta ishin të çarat e mureve në qytetin e Davidit dhe mblodhët ujërat e pellgut të poshtëm.

10Numëruat shtëpitë e Jerusalemit e shembët shtëpi për të përforcuar muret.

11Mes dy mureve ndërtuat një ujëmbajtës, për të mbajtur ujin e pellgut të vjetër, por nuk i hodhët sytë nga ai që e kishte bërë, nuk e patë atë që e sendërgjoi qëmoti.

12Ju thirri atë ditë Zoti, Zoti i ushtrive, që të qanit e të vajtonit, që kokat tuaja t'i rruanit e me grathore të ngjisheshit.

13Por jo! Gëzonit e dëfrenit, thernit qe e hanit dhen, hanit mish e pinit verë. «Të hamë e të pimë», thoshit, «Se nesër do të vdesim».

14Por Zoti i ushtrive më ka thënë në vesh: «Kjo paudhësi nuk do të shlyhet, deri kur të vdisni», thotë Zoti, Zoti i ushtrive.

15Kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive: Ngrihu e shko tek oborrtari Shebna që është kujdestari i pallatit.

16«Ç'do ti këtu?», thuaji. «Kë ke tëndin këtu, që je duke hapur varr?». Ke latuar në lartësi varrin tënd, ke gdhendur në shkëmb banesën tënde.

17Por ja, Zoti do të të vërvitë me dhunë, o njeri, e do të të mbërthejë mirë.

18Do të të mbështjellë mirë e mirë si lëmshin, me të dyja duart do të të vërvitë si topin në fushë, atje ke për të vdekur, atje do të marrin fund qerret e tua të lavdishme, o turpi i shtëpisë së zotërinjve të tu!

19Do të të dëbojë nga detyra, do të të plandosë nga rangu.

20Atë ditë do të thërras shërbëtorin tim, Eliakimin, birin e Hilkiahut.

21Do ta vesh me petkun tënd, me brezin tënd do ta ngjesh, pushtetin tënd do t'ia jap atij. Do të jetë atë për banorët e Jerusalemit e për shtëpinë e Judës.

22Mbi supe do t'i vë çelësin e shtëpisë së Davidit; ai do të çelë e askush s'do të mbyllë, ai do të mbyllë e askush s'do të çelë.

23Do ta ngul si kunjin në tokë të fortë, froni i tij do të jetë lavdi për shtëpinë e atit të tij.

24Prej tij do të varet tërë lavdia e shtëpisë së atit të tij, filizat e rinj e tërë degët, të gjitha enët e vogla, nga kupat deri te qypat e çdo lloji.

25Atë ditë, kumton Zoti i ushtrive, do të hiqet kunji i ngulur në tokë të fortë, do të këputet e do të bjerë, gjithçka e varur tek ai do të copëtohet, se kështu ka folur Zoti.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Isaiah 22.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.