Isaiah 10AL1

1Mjerë ata që nxjerrin rregulla paudhësie e shkruajnë ligje që përligjin shfryrëzimin,

2për t'u shkelur të drejtën skamnorëve, për t'u mohuar drejtësinë mjeranëve të popullit tim, për t'i bërë vejushat prenë e tyre, për t'i plaçkitur jetimët.

3Ç'do të bëni ditën e ndëshkimit, kur të vijë mjerimi prej së largu? Te kush do të vraponi për ndihmë, thesaret tuaja ku do t'i lini?

4Sepse do të gjunjëzoheni mes të burgosurve e do të bini ndër të vrarët. E megjithëkëtë zemërimi i tij nuk u fashit e krahu i tij mbeti i shtrirë.

5Mjerë Asiria, thupra e zemërimit tim! Në duart e saj është shkopi i furisë sime.

6Kundër një kombi të pafe po e dërgoj, kundër një populli, që më zemëron, e urdhëroj, që ta plaçkitë e ta bëjë pre, që ta shkelë me këmbë si baltën e rrugës.

7Por ai nuk e mendon kështu, në zemër sheston tjetër gjë, ka vendosur të shfarosë, të shuajë kombe jo të pakta.

8E thotë: «A nuk janë prijësit e mi si mbretërit?

9A s'është Kalnehu si Karkemishi? A s'është Hamati si Arpadi? Si Damasku a s'është Samaria?

10Dora ime pushtoi mbretëritë idhujtare, ndonëse idhujt e tyre ishin më të shumtë se në Jerusalem e në Samari.

11A nuk do t'ia bëj Jerusalemit e idhujve të tij siç ia bëra Samarisë e idhujve të saj?».

12E kur Zoti ta ketë përfunduar veprën e tij në malin e Sionit e në Jerusalem, do ta ndëshkojë krenarinë e zemrës së mbretit të Asirisë e vështrimin kryeneç të syve të tij,

13se tha: «Veprova me fuqinë e krahut tim, me urtinë e mençurinë time. Kufijtë mes popujve i zhduka, thesaret e tyre i plaçkita, si trim i plandosa ata që ulen ndër frone.

14Dora ime i gjeti thesaret e popujve, si të ishin në një fole zogjsh, dhe siç mblidhen vezët e braktisura, ashtu e mblodha botën mbarë. Askush s'i hapi dot krahët për të fluturuar, askush s'e hapi sqepin për të cicëruar».

15A mburret sëpata para atij që me të pret? A krenohet sharra para atij që e përdor? A thua shufra e drejton atë që e mban në dorë, apo shkopi e ngre lart atë që s'është prej druri?

16Prandaj, Zoti, Zoti i ushtrive, mes më të fortëve të tij plagë do të dërgojë, atje ku kishte lavdi do të ndizet flaka, do të djegë si zjarri përvëlues.

17Drita e Izraelit do të jetë si zjarri, i shenjti i Izraelit porsi flaka, do të djegë e do të përpijë brenda ditës shkurret e ferrat e tij.

18Lavdisë së pyllit e të kopshtit të tij do t'ia përpijë mishin e shpirtin, si i sëmuri që lëngon për vdekje, ashtu do të mbetet.

19Do të mbesin aq pemë nga pylli i tij, sa t'i numërojë edhe një fëmijë.

20Atë ditë do të ndodhë që teprica e Izraelit dhe të mbijetuarit e shtëpisë së Jakobit nuk do të mbështeten më tek ai që i godiste, por do të mbështeten me besnikëri te Zoti, i shenjti i Izraelit.

21Teprica, teprica e Jakobit, do të kthehet te Perëndia i fuqishëm.

22E megjithatë, o Izrael, edhe nëse populli yt do të ishte si rëra e detit, vetëm teprica do të kthehej atje. Është vendosur shfarosja, që të shkojë në vend drejtësia.

23Urdhrin e shfarosjes e dha Zoti, Zoti i ushtrive, dhe po e zbaton në mbarë vendin.

24Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive: «Mos ki frikë prej Asirisë, o populli im, që banon në Sion. Njëmend do të të godasë me thupër e shkopin do të ngrejë mbi ty, ashtu si Egjipti,

25por edhe pak e do të marrë fund, se zemërimi im do të ndizet flakë për t'i shkatërruar».

26Mbi të Zoti i ushtrive do të ngrejë një fshikull, ashtu siç bëri kundër Midianit te shkëmbi i Orebit. Do ta lartësojë shkopin e tij mbi det, ashtu siç bëri në Egjipt.

27E do të ndodhë atë ditë, që barra e tij do të hiqet prej shpatullës sate, zgjedha e tij prej qafës sate, prej të majmurit do të thyhet zgjedha e tij.

28Ia behu në Ajat, nëpër Migron kaloi, në Mikmas plaçkat shkarkoi.

29Ja, tek përshkuan shtegun, në Gebë po kalojnë natën, Ramahu po dridhet, Gibeahu i Saulit merr arratinë.

30Gërthit sa të kesh zë, o bija e Galimit! Dëgjo mirë, o Lajshah, përgjigju, o Anatot!

31Madmenahu ka marrë arratinë, banorët e Gebimit kanë ikur.

32Po atë ditë do të qëndrojë në Nob e do të tundë grushtin kundër malit të bijës së Sionit, kundër kodrës së Jerusalemit.

33Ja, Zoti, Zoti i ushtrive me dhunë do t'i presë degët, më të lartat do të priten, majat do të shkurtohen.

34Pyllin e dendur do ta presë me sëpatë, Libani do të bjerë me gjithë madhështinë e tij.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Isaiah 10.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.