Genesis 50
1 Pastaj Jozefi e përqafoi të atin, qau dhe e puthi.
2 Jozefi i urdhëroi shërbëtorët e tij dhe mjekët që ta balsamosnin të atin. Mjekët e balsamosën Izraelin.
3 U deshën dyzet ditë, sepse kaq zgjaste balsamimi. Egjipti e vajtoi Jakobin për shtatëdhjetë ditë.
4 Pasi kaloi koha e zisë, Jozefi i tha shtëpisë së faraonit: «Nëse kam gjetur hir para jush, i thoni faraonit
5 se im atë më bëri të betohem që, kur të vdiste, ta varrosja në varrin që kishte hapur për vete në tokën e Kanaanit. Prandaj, tani, faraoni të më lërë të shkoj që të varros tim atë e pastaj do të kthehem».
6 Atëherë faraoni i tha: «Shko e varrose atin tënd, siç iu betove».
7 Kështu, Jozefi shkoi për të varrosur të atin. Me të shkuan të gjithë shërbëtorët e faraonit, pleqtë e shtëpisë së faraonit, tërë pleqtë e tokës së Egjiptit,
8 e gjithë shtëpia e Jozefit, vëllezërit e tij dhe shtëpia e të atit. Vetëm fëmijët, dhentë e qetë e tyre mbetën në tokën e Goshenit.
9 Bashkë me të shkuan edhe karrocat e kalorësit dhe kështu u bë një turmë shumë e madhe njerëzish.
10 Shkuan deri te lëmi i Atadit, që ishte përtej Jordanit, dhe atje e vajtuan me gjëmë e Jozefi mbajti shtatë ditë zi për të atin.
11 Kur dëgjuan vajtimin në lëmin e Atadit, banorët e Kanaanit thanë: «Qenka zi e madhe për Egjiptin!». Prandaj edhe vendi përtej Jordanit u quajt Abel Micraim.
12 Kështu bijtë e Jakobit bënë siç ishin urdhëruar.
13 E çuan në tokën e Kanaanit dhe e varrosën përballë Mamreut, në shpellën e arës së Makpelës, që Abrahami kishte blerë bashkë me arën si pronë varri nga Efron Hititi.
14 Atëherë Jozefi, pasi varrosi të atin, u kthye në Egjipt bashkë me vëllezërit dhe tërë njerëzit që kishin shkuar për ta varrosur.
15 Pasi u vdiq i ati, vëllezërit thanë: «Nëse Jozefi na urren ende, do të marrë hak patjetër për tërë të keqen që i bëmë!».
16 Atëherë i çuan fjalë Jozefit e i thanë: «Yt atë, para se të vdiste, urdhëroi:
17 “I thoni Jozefit kështu: të përgjërohem, fale fajin dhe mëkatin e vëllezërve të tu megjithëse u sollën keq me ty”. Tani pra, të lutemi, fale fajin e shërbëtorëve të Perëndisë së atit tënd!». Jozefi qau kur i dëgjoi këto fjalë.
18 Pastaj vëllezërit e tij shkuan, u përkulën me nderim e thanë: «Ja, jemi shërbëtorët e tu!».
19 Por Jozefi u tha: «Mos kini frikë! Mos jam Perëndia unë?!
20 Ndonëse ju e kishit për keq, Perëndia e ktheu në të mirë, që të bëjë atë që po ndodh sot, të mbajë gjallë një popull të tërë.
21 Prandaj, mos kini frikë. Unë do kujdesem për ju e për fëmijët tuaj». Kështu, i ngushëlloi e u foli butë.
22 Jozefi bashkë me shtëpinë e të atit banoi në Egjipt. Ai jetoi njëqind e dhjetë vjet.
23 I pa bijtë e Efraimit deri në brezninë e tretë dhe bijtë e Makirit, birit të Manaseut, lindën në prehrin e Jozefit.
24 Atëherë Jozefi u tha vëllezërve: «Unë po vdes, por Perëndia me siguri do t'ju kujtojë e do t'ju nxjerrë nga kjo tokë për t'ju çuar në tokën për të cilën iu betua Abrahamit, Isakut e Jakobit».
25 Pastaj Jozefi u kërkoi bijve të Izraelit të betohen e u tha: «Kur Perëndia t'ju kujtojë, m'i merrni me vete eshtrat prej këtij vendi».
26 Jozefi vdiq njëqind e dhjetë vjeç. Trupin e tij e balsamosën dhe e vendosën në një sarkofag në Egjipt.