Genesis 49AL1

1Jakobi i thirri të bijtë e u tha: «Ejani t'ju tregoj se çfarë do t'ju ndodhë në ditët që po vijnë:

2Mblidhuni e dëgjoni, o bijtë e Jakobit, dëgjojeni Izraelin, atin tuaj!

3O Ruben, i parëlinduri im, ti, fuqia e fryti i parë i burrërisë sime, i epërm në krenari e fuqi,

4i rrëmbyer si uji, mos paç epërsi, se u shtrive në shtrojën e atit tënd dhe e fëlliqe. Mbi shtratin tim ai u shtri.

5Simeoni e Levi vëllezër janë e për dhunë shpatat i kanë!

6Në kuvendin e tyre mos marrtë pjesë shpirti im e në mbledhjet e tyre mos qoftë nderi im. Se nga zemërimi vranë njerëz e dema gjymtuan si deshën.

7Mallkuar qoftë zemërimi i tyre i tërbuar e mëria e tyre mizore. Te Jakobi do t'i ndaj e nëpër Izrael do t'i shpërndaj.

8O Judë! Ty, do të lavdërojnë vëllezërit e tu. Mbi zverkun e armiqve të tu do të jetë dora jote. Para teje do të përkulen bijtë e atit tënd!

9Pjellë luani është Juda. Prej presë u ktheve biri im. Ai ulet e shtrihet si një luan e kush guxon ta zgjojë?

10Skeptri nuk do t'i hiqet Judës, as shkopi i prijësit këmbëve të tij. Do t'i sjellin tagrin, popujt do ta dëgjojnë.

11Gomarin e lidh në pjergull, kërriçin te hardhia më e mirë. Me verë e lan rrobën e tij, me lëngun e rrushit petkun.

12Të kuq si vera sytë e tij, të bardhë si qumështi dhëmbët.

13Zabuloni pranë detit do të banojë e për lundrat liman do të jetë. Kufirin në Sidon do ta ketë.

14Isahari është gomar i fortë, shtrirë mes dy gardhesh.

15Pa se vendpushimi ishte i mirë e toka e këndshme e uli kurrizin nën barrë, shërbëtor i nënshtruar u bë!

16Dani, popullin e vet do të gjykojë, si çdo fis tjetër i Izraelit.

17Qoftë si gjarpri rrugës e nepërka udhës, që thembrën e kalit kafshon e kalorësin në shpinë e rrëzon.

18Shpëtimin tënd pres, o Zot!

19Gadin do ta sulmojnë kusarët, por në kthim do t'i sulmojë ai.

20Asheri do të ketë bukë të shijshme e për mbretër ushqime të përzgjedhura.

21Neftaliu është drenushë e lirë që pjell drerë të bukur.

22Jozefi është si pemë frutore, si pemë frutore pranë burimit, me degë tej murit.

23Hidhur e qëlluan, harkëtarët e sulmuan.

24Por i fortë mbeti harku i tij e krahët iu forcuan nga dora e të fuqishmit të Jakobit, nga bariu e shkëmbi i Izraelit,

25nga Perëndia i atit tënd që të ndihmon, nga i gjithëpushtetshmi që të bekon me bekime nga qielli lart e me bekime nga humnera poshtë, me bekime nga gjiri e nga barku.

26Bekimet e atit tënd ua tejkalojnë bekimeve të maleve të amshuara e begatisë së kodrave të përjetshme. Ato qofshin mbi kryet e Jozefit, mbi ballin e të zgjedhurit ndër vëllezër!

27Benjamini është ujk grabitqar, prenë e ha në mëngjes e në mbrëmje plaçkën ndan!».

28Të gjithë këta janë dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Kështu u tha ati i tyre kur i bekoi me radhë, secilin sipas bekimit të vet.

29Pastaj Jakobi i urdhëroi e u tha: «Së shpejti do të vdes. Më varrosni me etërit e mi, në shpellën që është në arën e Efron Hititit,

30në shpellën që ndodhet në arën e Makpelës, përballë Mamreut, në tokën e Kanaanit, në fushën që Abrahami bleu si pronë varri nga Efron Hititi.

31Atje janë varrosur Abrahami e Sara, gruaja e tij. Atje është varrosur Isaku e Rebeka, gruaja e tij. Atje kam varrosur Lean.

32Fusha e shpella iu blenë bijve të Hetit».

33Pasi urdhëroi të bijtë, Jakobi i mblodhi këmbët mbi shtrat e dha shpirt. Ai u varros me popullin e tij.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Genesis 49.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.