Genesis 33AL1

1Jakobi ngriti sytë e pa Esaun që po vinte. Me të ishin katërqind burra. Atëherë i ndau fëmijët mes Leas, Rakelës e dy shërbëtoreve.

2Shërbëtoret me bijtë e tyre i vuri në fillim, pas tyre vuri Lean me bijtë e saj, në fund vuri Rakelën e Jozefin.

3Ai vetë shkoi para tyre e u përkul gjer në tokë shtatë herë, derisa iu afrua të vëllait.

4Por Esau vrapoi për ta takuar dhe e përqafoi. Iu hodh në qafë, e puthi e qanë që të dy.

5Pastaj Esau ngriti sytë, pa gratë e fëmijët e tha: «Çfarë i ke këta?». Ai iu përgjigj: «Këta janë fëmijët që Perëndia i fali shërbëtorit tënd».

6Atëherë shërbëtoret bashkë me fëmijët u afruan e u përkulën me nderim.

7U afrua edhe Lea me fëmijët e saj e u përkulën me nderim. Në fund u afrua Jozefi e Rakela e u përkulën me nderim.

8Pastaj Esau tha: «Ç'ke ndër mend të bësh me gjithë këto që më solle?». Jakobi iu përgjigj: «I solla që të gjej hir para teje, imzot».

9Esau tha: «Unë kam mjaft, o vëllai im. Çfarë ke mbaje për vete».

10Por Jakobi tha: «Jo, të lutem. Nëse kam gjetur hir para teje do ta pranosh këtë dhuratë nga dora ime, sepse të pashë ballë për ballë, si të shihja ballë për ballë Perëndinë, e ti prapë më prite mirë.

11Pranoje, pra dhuratën që të solla, se Perëndia është treguar i mëshirshëm me mua e unë kam plot». Kështu, ai nguli këmbë dhe Esau pranoi.

12Pastaj Esau tha: «Të çohemi e të shkojmë e unë do të të prij».

13Por Jakobi i tha: «Imzot, ti e di se fëmijët janë të vegjël dhe se dhentë e lopët qumështore i kam kujdes. Nëse i mundoj edhe një ditë, e gjithë bagëtia do të ngordhë.

14Le të shkojë imzot para shërbëtorit të tij, ndërsa unë do të vij ngadalë me hapin e bagëtisë, që më paraprin, e me hapin e fëmijëve, derisa të arrij tek imzot në Seir».

15Atëherë Esau tha: «Po lë me ty disa nga njerëzit e mi». Por Jakobi tha: «Përse? Mjafton që të gjej hir para timzot».

16Po atë ditë, Esau u kthye rrugës për në Seir,

17ndërsa Jakobi udhëtoi drejt Sukotit ku ndërtoi shtëpi për vete e kasolle për kafshët, prandaj edhe vendi u quajt Sukot.

18Jakobi erdhi nga Padan Arami dhe arriti shëndoshë e mirë në qytetin e Shekemit, që ishte në tokën e Kanaanit, dhe fushoi përballë qytetit.

19Pastaj bleu prej Hamorit, atit të Shekemit, për njëqind monedha argjendi, pjesën e fushës në të cilën kishte ngritur tendën.

20Aty ngriti një altar dhe e quajti «Perëndia është Perëndia i Izraelit».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Genesis 33.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.