Genesis 32
1 Labani u ngrit herët në mëngjes, i puthi bijtë e bijat e tij, i bekoi e u kthye në vendin e vet.
2 Edhe Jakobi shkoi udhës së vet. Përpara i dolën engjëjt e Perëndisë.
3 Kur i pa, Jakobi tha: «Ky është fushimi i Perëndisë». Prandaj e quajti Mahanaim.
4 Atëherë Jakobi dërgoi përpara vetes lajmëtarë te Esau, vëllai i tij, në tokën e Seirit, në krahinën e Edomit
5 e i urdhëroi: «Kështu do t'i thoni timzot, Esaut: “Jakobi, shërbëtori yt, thotë: kam banuar me Labanin e aty kam qëndruar deri tani.
6 Kam lopë e gomarë, dhen, shërbëtorë e shërbëtore. Po e lajmëroj timzot që të gjej hir para tij”».
7 Por lajmëtarët u kthyen te Jakobi e i thanë: «Shkuam te vëllai yt, Esau. Ai po të del para me katërqind burra».
8 Atëherë Jakobi u frikësua shumë e u shqetësua. I ndau në dy fushime njerëzit që ishin me të, dhentë, qetë e devetë,
9 sepse mendoi: «Nëse vjen Esau e sulmon njërin fushim, fushimi që mbetet do të shpëtojë».
10 Pastaj Jakobi tha: «O Perëndi i atit tim, Abrahamit, dhe Perëndi i atit tim, Isakut, o Zot, ti që më the të kthehem në tokën time, te të afërmit e mi e që më the se do të më trajtoje mirë,
11 unë nuk jam i denjë për gjithë mirësinë e besnikërinë që tregove ndaj shërbëtorit tënd, sepse këtë Jordan e kalova vetëm me një shkop e tani jam bërë me dy fushime.
12 Më shpëto nga dora e vëllait tim, nga dora e Esaut, sepse kam frikë se kur të vijë, ai do të më vrasë bashkë me gra e fëmijë.
13 Ti vetë the: “Me të vërtetë do të të bëj mirë e do t'i bëj pasardhësit e tu si rëra e detit që nuk numërohet, se është e shumtë”».
14 Jakobi e kaloi natën aty. Pastaj zgjodhi nga ç'kishte me vete një dhuratë për vëllanë e tij, Esaun.
15 Ai zgjodhi dyqind dhi, njëzet cjep, dyqind dele, njëzet desh,
16 tridhjetë deve qumështi bashkë me të vegjlit, dyzet lopë, dhjetë dema, njëzet gomarica e dhjetë gomarë.
17 U dorëzoi shërbëtorëve të tij çdo kope më vete e u tha: «Shkoni përpara meje e mbani një largësi mes kopeve».
18 Pastaj urdhëroi të parin: «Kur Esau, im vëlla, të të takojë e të të pyesë: “I kujt je? Ku po shkon e të kujt janë tërë këto kafshë para teje?”,
19 ti do t'i thuash: “Janë të Jakobit, shërbëtorit tënd. Kjo është një dhuratë e dërguar për timzot Esaun. Ja, ai vetë po vjen pas nesh”».
20 Po kështu Jakobi e urdhëroi të dytin, të tretin dhe tërë ata që shkonin pas kopeve, duke u thënë: «Të njëjtat fjalë do t'i thoni Esaut kur ta takoni.
21 Po ashtu do t'i thoni: “Ja, Jakobi, shërbëtori yt, po vjen pas nesh”», sepse mendonte: «Do ta zbus me dhuratat që po i dërgoj përpara meje. E pastaj do ta takoj e ndoshta ai do të më pranojë».
22 Jakobi i dërgoi dhuratat përpara tij, por ai vetë e kaloi atë natë në fushim.
23 Po atë natë Jakobi u ngrit, mori dy gratë e veta, dy shërbëtoret, të njëmbëdhjetë djemtë dhe kaloi vaun e Jabokut.
24 I mori e i kaloi nga ana tjetër e lumit bashkë me gjithçka kishte.
25 Kështu, Jakobi mbeti vetëm dhe një burrë u përlesh me të deri në të gdhirë.
26 Kur tjetri pa se nuk po e mundte dot Jakobin, i kapi kërdhokullën dhe, gjatë përleshjes, ia nxori vendit.
27 Pastaj i tha: «Më lësho, se po zbardhet». Por Jakobi i tha: «Nuk të lëshoj derisa të më bekosh».
28 Ai i tha: «Si quhesh?». Iu përgjigj: «Jakob».
29 Atëherë i tha: «Nuk do të quhesh më Jakob, por Izrael, sepse luftove me Perëndinë e me njerëzit dhe fitove».
30 Jakobi iu lut: «Ma trego emrin». Por ai i tha: «Përse më pyet për emrin?». Dhe aty e bekoi Jakobin.
31 Atëherë Jakobi e quajti atë vend Penuel, sepse tha: «Ballë për ballë e pashë Perëndinë e mbeta gjallë».
32 Dielli lindi kur Jakobi kaloi Penuelin dhe ai çalonte për shkak të kërdhokullës.
33 Për këtë arsye, bijtë e Izraelit nuk e hanë dellin e kofshës që është në zgavrën e kërdhokullës as sot e kësaj dite, sepse ai e preku Jakobin te zgavra e kërdhokullës, mu te delli i kofshës.