Genesis 22AL1

1Pas këtyre ngjarjeve Perëndia e vuri në provë Abrahamin e i tha: «Abraham!». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam».

2Ai i tha: «Merre me vete tët bir, Isakun, birin tënd të vetëm, që ti e do, e shko në tokën e Moriahut. Atje kushtoje si fli shkrumbimi në një nga malet që do të të tregoj».

3Abrahami u ngrit herët në mëngjes, shaloi gomarin e mori me vete dy shërbëtorë dhe Isakun, birin e tij. Pasi preu dru për flinë e shkrumbimit, u ngrit e shkoi drejt vendit që i tregoi Perëndia.

4Ditën e tretë Abrahami ngriti sytë e pa vendin nga larg.

5Atëherë Abrahami u tha shërbëtorëve: «Prisni këtu bashkë me gomarin, ndërsa unë e djali do të ngjitemi atje, do të adhurojmë e pastaj do të kthehemi te ju».

6Abrahami mori drutë për flinë e shkrumbimit e ia ngarkoi Isakut, të birit, ndërsa vetë mbante në dorë zjarrin e thikën. Kështu u nisën të dy bashkë.

7Isaku i tha Abrahamit, të atit: «O atë!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam, biri im». Isaku tha: «Zjarrin e drutë ja ku i kemi. Po qengji për flinë ku është?».

8Abrahami iu përgjigj: «Vetë Perëndia do të këqyrë për qengjin e flisë së shkrumbimit, biri im». E kështu shkuan të dy bashkë.

9Kur arritën te vendi që Perëndia i kishte treguar, Abrahami ngriti një altar dhe i vendosi drutë mbi të. E lidhi Isakun, të birin, dhe e vuri mbi altar, mbi turrën e druve.

10Pastaj zgjati dorën e mori thikën që të therte të birin.

11Por engjëlli i Zotit i thirri nga qielli e i tha: «Abraham, Abraham!». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam!».

12Ai i tha: «Mos ngri dorë kundër djalit e mos i bëj gjë, se tani e di që i druhesh Perëndisë e nuk e kurseve për mua as birin tënd të vetëm».

13Abrahami ngriti sytë e pa një dash me brirët të ngatërruar në një shkurre. Shkoi, e mori dhe e flijoi në vend të të birit.

14Abrahami e quajti atë vend « Zoti këqyr», sikurse thuhet edhe sot: «Në malin e Zotit ai këqyret!».

15Engjëlli i Zotit e thirri nga qielli për së dyti,

16e i tha: «Veten time zë në be, kumton Zoti, për shkak se bëre këtë gjë e nuk e kurseve birin tënd të vetëm,

17unë do të të jap bekim pas bekimi e do t'i shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit e si rëra e bregdetit. Pasardhësit e tu do të marrin në zotërim portat e armiqve të tyre.

18Tërë kombet e tokës do të bekohen në pasardhësit e tu për shkak se ti iu binde zërit tim».

19Pastaj Abrahami u kthye te shërbëtorët. Ata u ngritën e shkuan së bashku në Bershebë dhe Abrahami banoi atje.

20Pas këtyre ngjarjeve Abrahamit i thanë: «Ja, edhe Milka i ka lindur djem Nahorit, vëllait tënd. Ata janë:

21Uci i parëlinduri, Buzi, vëllai i tij, Kemueli, i ati i Aramit,

22Kesedi, Hazoi, Pildashi, Idlafi e Betueli.

23Betuelit i lindi Rebeka. Këta të tetë, Milka ia lindi Nahorit, vëllait të Abrahamit.

24Edhe shemra e tij, Reumaja, i lindi Tebahun, Gahamin, Tahashin e Makahun».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Genesis 22.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.