Genesis 12AL1

1Zoti i tha Abramit: «Dil nga vendi yt, nga farefisi yt e nga shtëpia e atit tënd dhe shko në vendin që do të të tregoj.

2Do të të bëj komb të madh e do të të bekoj. Emrin tënd do ta bëj të madh e bekim do të jesh.

3Do të bekoj këdo që të bekon, por atë që të përçmon do ta mallkoj. Të gjitha fiset e tokës do të bekohen në ty».

4Atëherë Abrami bëri siç i tha Zoti. Me të shkoi edhe Loti. Abrami ishte shtatëdhjetë e pesë vjeç kur u nis nga Harani.

5Ai mori me vete Sarajën, të shoqen, nipin e tij, Lotin, dhe tërë pasurinë e njerëzit që kishin mbledhur në Haran e u nisën drejt tokës së Kanaanit. Kur arritën në tokën e Kanaanit,

6Abrami përshkoi vendin deri te lisi i Morehut në Shekem. Në atë kohë, në atë vend banonin kananitët.

7Zoti iu shfaq Abramit e tha: «Pasardhësve të tu do t'ua jap këtë vend». Atëherë Abrami i ngriti aty një altar Zotit që i ishte shfaqur.

8Prej andej u shpërngul drejt malit në lindje të Betelit dhe ngriti tendën mes Betelit në perëndim e Ajit në lindje. Edhe aty i ngriti një altar Zotit e thirri emrin e tij.

9Pastaj Abrami u ngrit e vijoi udhëtimin drejt Negevit.

10Vendin e pllakosi një zi buke aq e rëndë, saqë Abrami shkoi në Egjipt për të banuar në dhe të huaj.

11Kur po hynte në Egjipt, Abrami i tha Sarajës, gruas së tij: «E di që je grua e bukur

12dhe kur të të shohin egjiptianët, do të thonë: “Kjo është gruaja e tij”. Kështu mua do të më vrasin, kurse ty do të të lënë gjallë.

13Thuaj që je ime motër, që të më trajtojnë mirë për shkakun tënd e jeta të më kursehet falë teje».

14Kur Abrami hyri në Egjipt, egjiptianët panë se gruaja ishte shumë e bukur.

15Edhe oborrtarët e faraonit e panë dhe ia lavdëruan faraonit. Atëherë, gruan e morën në shtëpinë e faraonit.

16Për shkak të saj faraoni e trajtoi mirë Abramin, i cili përfitoi dhen, qe e gomarë, shërbëtorë e shërbëtore, gomarica e deve.

17Por Zoti e dënoi me plagë të rënda faraonin dhe shtëpinë e tij për shkak të Sarajës, gruas së Abramit.

18Atëherë faraoni e thirri Abramin e i tha: «Ç'është kjo që më bëre? Përse nuk më tregove që është gruaja jote.

19Përse the se është jot motër e unë e mora për grua? Dhe tani, ja ku e ke gruan tënde. Merre, pra, e shko!».

20Faraoni u dha urdhër njerëzve të vet dhe ata e larguan Abramin, bashkë me të shoqen, e gjithçka i përkiste.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Genesis 12.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.