Genesis 11
1 E gjithë toka fliste një gjuhë e të njëjtat fjalë.
2 Kur udhëtuan nga lindja, njerëzit gjetën një fushë në tokën e Shinarit dhe banuan atje.
3 E i thanë njëri-tjetrit: «Ejani, le të bëjmë tulla e t'i pjekim në zjarr». Kështu, ata përdorën tulla në vend të gurit e zift në vend të baltës.
4 E thanë: «Ejani, të ndërtojmë për vete një qytet e një kullë, maja e të cilës të prekë qiellin, që të bëjmë emër e të mos shpërndahemi mbi faqen e tërë dheut».
5 Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën që bijtë e njeriut po ndërtonin.
6 E Zoti tha: «Ja, ata janë një popull e flasin të gjithë një gjuhë dhe ky është vetëm fillimi i veprave të tyre. Tani, asgjë nga çfarë kanë ndër mend të bëjnë nuk do të jetë e pamundur për ta.
7 Ejani të zbresim e mu atje t'ua përziejmë gjuhën, që të mos e kuptojnë gjuhën e njëri-tjetrit».
8 Atëherë Zoti i shpërndau prej andej mbi faqen e tërë dheut dhe ata reshtën së ndërtuari qytetin.
9 Prandaj edhe quhet Babel, se atje Zoti përzjeu gjuhën e gjithë tokës dhe prej andej Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut.
10 Këta janë pasardhësit e Semit: Semi ishte njëqind vjeç kur i lindi Arpahshadi, dy vjet pas përmbytjes.
11 Semi jetoi pesëqind vjet pasi i lindi Arpahshadi dhe pati bij e bija të tjera.
12 Arpahshadi ishte tridhjetë e pesë vjeç kur i lindi Shelahu.
13 Arpahshadi jetoi katërqind e tre vjet pasi i lindi Shelahu dhe pati bij e bija të tjera.
14 Shelahu ishte tridhjetë vjeç kur i lindi Eberi.
15 Shelahu jetoi katërqind e tre vjet pasi i lindi Eberi dhe pati bij e bija të tjera.
16 Eberi ishte tridhjetë e katër vjeç kur i lindi Pelegu.
17 Eberi jetoi katërqind e tridhjetë vjet pasi i lindi Pelegu dhe pati bij e bija të tjera.
18 Pelegu ishte tridhjetë vjeç kur i lindi Reui.
19 Pelegu jetoi dyqind e nëntë vjet pasi i lindi Reui dhe pati bij e bija të tjera.
20 Reui ishte tridhjetë e dy vjeç kur i lindi Serugu.
21 Reui jetoi dyqind e shtatë vjet pasi i lindi Serugu dhe pati bij e bija të tjera.
22 Serugu ishte tridhjetë vjeç kur i lindi Nahori.
23 Serugu jetoi dyqind vjet pasi i lindi Nahori dhe pati bij e bija të tjera.
24 Nahori ishte njëzet e nëntë vjeç kur i lindi Terahu.
25 Nahori jetoi njëqind e nëntëmbëdhjetë vjet pasi i lindi Terahu dhe pati bij e bija të tjera.
26 Terahu ishte shtatëdhjetë vjeç kur i lindën Abrami, Nahori e Harani.
27 Këta janë pasardhësit e Terahut: Terahut i lindën Abrami, Nahori e Harani. Haranit i lindi Loti.
28 Harani vdiq në tokën e vendlindjes, në Ur të kaldenjve, para Terahut, të atit.
29 Abrami e Nahori morën gra. Gruaja e Abramit quhej Sarajë, ndërsa gruaja e Nahorit quhej Milka, e bija e Haranit që është ati i Milkës e Iskës.
30 Saraja ishte beronjë e nuk kishte fëmijë.
31 Terahu mori me vete të birin, Abramin, të nipin, Lotin, që ishte biri i Haranit, e Sarajën, të renë, gruan e të birit, dhe dolën nga Uri i kaldenjve për të shkuar drejt tokës së Kanaanit. Arritën në Haran e banuan atje.
32 Terahu jetoi dyqind e pesë vjet e vdiq në Haran.