1 Samuel 23AL1

1Davidin e lajmëruan e i thanë: «Ja, filistinët po sulmojnë Kejlahun e po përlajnë lëmenjtë».

2Atëherë Davidi pyeti Zotin: «A t'i sulmoj filistinët?». Zoti iu përgjigj: «Sulmoji filistinët e çliroje Kejlahun».

3Por njerëzit e Davidit i thanë: «Ja, ne jemi në Judë e na ka kapur frika. Si të shkojmë në Kejlah kundër forcave filistine?».

4Atëherë Davidi pyeti sërish Zotin e ai iu përgjigj: «Ngrihu e shko në Kejlah, se unë po t'i dorëzoj filistinët».

5Davidi bashkë me njerëzit e vet shkoi në Kejlah, i sulmoi filistinët dhe dëboi bagëtitë e tyre. Filistinët u shpartalluan dhe Davidi i çliroi banorët e Kejlahut.

6Abiatari, biri i Ahimelekut, kishte shkuar te Davidi në Kejlah dhe kishte marrë me vete efodin.

7Saulin e lajmëruan se Davidi kishte mbërritur në Kejlah. Atëherë ai tha: «Ma ka dorëzuar Perëndia, se shkoi e u mbyll në një qytet me dyer e shula».

8Sauli mblodhi tërë popullin për të mësyrë Kejlahun e për të rrethuar Davidin e njerëzit e tij.

9Davidi e mori vesh se Sauli po kurdiste ligësi kundër tij, prandaj i tha priftit Abiatar që të sillte efodin.

10Atëherë Davidi tha: «O Zot, Perëndia i Izraelit, shërbëtori yt mori vesh se Sauli po kërkon të vijë në Kejlah për ta shkatërruar qytetin për shkakun tim.

11A do të më dorëzojnë banorët e Kejlahut te Sauli? A do të vijë Sauli, siç dëgjoi shërbëtori yt, o Zot, Perëndia i Izraelit? Tregoji, të lutem, shërbëtorit tënd!». Zoti iu përgjigj: «Sauli do të vijë».

12Davidi e pyeti: «A do të na dorëzojnë te Sauli krerët e Kejlahut?». Zoti i tha: «Po, do t'ju dorëzojnë».

13Atëherë Davidi dhe gjashtëqind njerëzit e tij ikën prej Kejlahut e u endën gjithandej. Saulit i treguan se Davidi kishte ikur prej Kejlahut dhe ai nuk e sulmoi.

14Davidi banoi në fortesat e shkretëtirës, në malësinë e shkretëtirës së Zifit. Sauli e kërkonte ditë për ditë, por Perëndia nuk ia dorëzoi kurrë Davidin.

15Davidi ishte në shkretëtirën e Zifit, në Horesh, kur pa se Sauli kishte dalë për t'i marrë jetën.

16Jonatani, biri i Saulit, u ngrit e shkoi te Davidi në Horesh. Ai i dha zemër në emër të Perëndisë

17e i tha: «Mos ki frikë, se Sauli, ati im, nuk ka për të të gjetur. Ti do të mbretërosh në Izrael e unë do të jem i dyti pas teje. Këtë e di edhe im atë».

18Të dy lidhën besën para Zotit. Davidi qëndroi në Horesh e Jonatani u kthye në shtëpi.

19Atëherë zifitët shkuan te Sauli në Gibeah e i thanë: «Davidi fshihet mes nesh, në fortesat e Horeshit, në malin e Hakilahut, që ndodhet në jug të Jishmonit.

20Prandaj, eja, o mbret, kur të ta ketë ënda e ne do të ta dorëzojmë».

21Sauli u tha: « Zoti ju bekoftë, se po tregoheni të dhembshur me mua.

22Shkoni e sigurohuni përsëri. Gjeni e shikoni ku i shkel këmba e kush e ka parë atje, se kam dëgjuar se është shumë dinak.

23Shikoni e gjeni të gjitha vendet ku fshihet, pastaj ejani tek unë të sigurt e unë do të vij me ju. Nëse ndodhet në këtë vend, do ta kërkoj anekënd Judës».

24Ata u larguan nga Sauli e shkuan në Zif. Davidi e njerëzit e tij ndodheshin në shkretëtirën e Maonit, në Arabah, në jug të Jishmonit.

25Sauli e njerëzit e tij shkuan për ta kërkuar, por Davidin e njoftuan dhe ai zbriti te shkëmbi e banoi në shkretëtirën e Maonit. Sauli e mori vesh dhe e gjurmoi nëpër shkretëtirën e Maonit.

26Sauli shkoi në njërin shpat të malit, ndërsa Davidi dhe njerëzit e tij ishin në shpatin tjetër. Davidi nxitoi të largohej prej Saulit, kur Sauli dhe njerëzit e tij po i rrethonin për t'i kapur.

27Atëherë mbërriti një lajmëtar te Sauli e i tha: «Nxito dhe eja shpejt, se filistinët po sulmojnë vendin».

28Sauli hoqi dorë nga ndjekja e Davidit e shkoi të ndeshej me filistinët, prandaj ai vend u quajt shkëmbi i Hamahlekotit.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for 1 Samuel 23.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.