1 Samuel 22AL1

1Davidi iku që andej dhe ia mbathi për te shpella e Adulamit. Kur e morën vesh, vëllezërit dhe tërë shtëpia e të atit shkuan tek ai.

2Me të u bashkuan të gjithë ata që ishin ngushtë, që kishin marrë hua e që ishin të pakënaqur. Davidi u bë prijësi i tyre. Ishin rreth katërqind vetë.

3Davidi u nis që andej, shkoi në Micpah të Moabit e i tha mbretit të Moabit: «Të lutem, lejoji tim atë e time më të rrinë me ju derisa të marr vesh se çfarë do të bëjë Perëndia me mua».

4I solli te mbreti i Moabit e ata banuan me të gjatë gjithë kohës që Davidi u strehua në fortesë.

5Profeti Gad i tha Davidit: «Mos rri më në fortesë, por shko në tokën e Judës». Davidi shkoi e mbërriti në pyllin e Haretit.

6Kur e mori vesh se Davidin e kishin parë bashkë me njerëzit e tij, Sauli ndodhej në Gibeah. Ishte ulur nën një mare, në një kodrinë. Mbante një heshtë në dorë e ishte rrethuar me shërbëtorë.

7Ai u tha shërbëtorëve që e rrethonin: «Dëgjoni, o benjaminas! A do t'ju japë biri i Jeseut ara e vreshta secilit prej jush? A do t'ju bëjë të gjithëve kryemijës apo kryeqindës?

8Përse, pra, shestoni kundër meje? Si nuk doli askush të më njoftonte për besën që lidhi im bir me birin e Jeseut? Si nuk i erdhi keq për mua asnjërit prej jush që të më njoftonte se im bir po i ndërsen shërbëtorët e mi të më fusin në kurth, siç po ndodh sot?».

9Atëherë Doeg Edomiti, që ishte mes shërbëtorëve të Saulit, tha: «E kam parë të birin e Jeseut kur erdhi në Nob tek Ahimeleku, biri i Ahitubit.

10Ahimeleku e pyeti Zotin për të e i dha ushqime dhe shpatën e Goliat Filistinit».

11Atëherë mbreti dërgoi njerëz që të sillnin prej Nobit priftin Ahimelek, birin e Ahitubit, dhe tërë familjen e tij priftërore. Të gjithë erdhën te mbreti.

12Sauli i tha: «Dëgjo, o i biri i Ahitubit!». Ai u përgjigj: «Urdhëro, imzot!».

13Sauli i tha: «Përse sheston kundër meje bashkë me të birin e Jeseut? I dhe bukë e shpatë e u këshillove me Perëndinë për të, që të ngrihej kundër meje e të më zinte në kurth, siç po ndodh sot».

14Ahimeleku iu përgjigj mbretit e i tha: «Cili nga tërë shërbëtorët e mbretit është besnik si Davidi? Ai është dhëndri i mbretit, prijësi i rojës sate dhe njeri i nderuar në familjen tënde!

15Pse, a sot fillova ta pyes Perëndinë për të? Kurrsesi! Mos t'i shkojë në mendje mbretit asgjë e keqe për shërbëtorin e vet apo për tërë shtëpinë e atit tim, se shërbëtori yt nuk ka ditur as gjënë më të vogël!».

16Por mbreti i tha: «Do të dënohesh me vdekje Ahimelek, ti dhe tërë shtëpia jote!».

17Pastaj mbreti u tha rojave që ishin me të: «Shkoni e vritni priftërinjtë e Zotit, se edhe ata e përkrahin Davidin. E dinin se po ikte e nuk më njoftuan». Por shërbëtorët e mbretit nuk deshën të vinin dorë mbi priftërinjtë e Zotit për t'i vrarë.

18Atëherë mbreti i tha Doegut: «Shko ti e vriti priftërinjtë». Doeg Edomiti u kthye e i vrau priftërinjtë. Atë ditë vrau tetëdhjetë e pesë burra që mbanin efodin e linjtë.

19Edhe Nobin, qytetin e priftërinjve, e shkoi në teh të shpatës. Shkoi në teh të shpatës burra e gra, fëmijë e foshnja, qe, gomarë e dhen.

20Por njëri nga bijtë e Ahimelekut, të birit të Ahitubit, shpëtoi e shkoi pas Davidit. Ai quhej Abiatar.

21Kur i tregoi Davidit se Sauli i kishte vrarë priftërinjtë e Zotit,

22Davidi i tha: «E dija që atë ditë se Doeg Edomiti, duke qenë atje, do ta njoftonte Saulin. Unë ia solla vdekjen tërë shtëpisë së atit tënd.

23Rri me mua e mos ki frikë. Ai që po kërkon të më marrë jetën mua, po kërkon të ta marrë edhe ty. Tek unë do të jesh i sigurt!».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for 1 Samuel 22.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.