Song of Solomon 8
1 Ah, të të kisha si vëllanë tim që gjinjtë e nënës sime thithi! Do të të gjeja përjashta e do të të puthja, njeri pa më përçmuar.
2 Do të të prija në shtëpinë e nënës sime, e ti do të më mësoje, por unë verë erëmirë do të të koja e lëngun e shegës sime.
3 Me dorën e majtë kokën ai ma mban e me të djathtën më përqafon.
4 Ju përbehem, o bijat e Jerusalemit, mos e zgjoni, mos e ngucni dashurinë, deri kur t'ia ketë ënda.
5 Kush është ajo që ngjitet shkretëtirës mbështetur tek i shtrenjti i vet? Nën mollë të zgjova ty, atje ku të lindi nëna, atje ku lehona ty të pati lindur.
6 Vërmë si vulë në zemër, si vulë në krahun tënd, se e fortë si vdekja është dashuria, e egër si skëterra smira, zjarrmia e saj zjarrmi përflakëse, flakë përvëluese.
7 Ujërat e mëdha dashurinë s'mund ta shuajnë, as lumenjtë nuk mund ta përmbytin. Kush për dashuri jep shtëpi e katandi, fiton veçse qesëndi.
8 Një motër të vogël kemi, që gjinjtë s'i kanë dalë. Ç'do të bëjmë me motrën tonë, kur për të të flitet?
9 Po të ishte mur, bedena argjendi do t'i bënim, flegra cedra do t'i vinim, po të ishte derë.
10 Mur jam unë e gjinjtë e mi si kulla. Para syve të tij paqe unë kam gjetur.
11 Një vresht pati Solomoni në Baalhamon, e rojtarëve vreshtin ua dha. Secili për frytet e saj do të sillte një mijë monedha argjendi.
12 Vreshti im, që më përket mua, shtrihet para meje. Ja, një mijë monedha për ty Solomon e dyqind për rojat e fryteve të tij.
13 O ti, që banon në kopshte, e shokët e mi zërin ta dëgjojnë, edhe unë ta dëgjofsha!
14 Shpejto, i shtrenjti im, porsi kaprolli a zogu i drenushës, në bjeshkët erëmira.