Song of Solomon 7
1 Kthehu, o shulamite, kthehu! Kthehu, të të kundrojmë, kthehu! Ç't'i kundroni shulamites që është si vallja mes dy fushimesh?
2 Sa të hijshme i ke këmbët në sandale, o bijë fisnikësh! Vijat e ijëve të tua porsi stoli, vepër kryemjeshtërore.
3 Kërthiza jote si kupë e rrumbullt që s'mbetet kurrë pa verë erëmirë. Barku yt porsi pirg gruri me lilakë rrethuar.
4 Dy gjinjtë e tu si dy kaproj binjakë të drenushës.
5 Qafa jote si kullë fildishi, sytë e ty si pellgjet e Heshbonit te porta e Bat Rabimit. Hunda jote si kullë Libani me pamje nga Damasku.
6 Kokën si Karmeli e ke e flokët porsi purpur, në gërsheta një mbret u zu.
7 Sa e bukur je e sa e hirshme, o dashuri, e tëra kënaqësi.
8 Shtati yt porsi palma, porsi vile gjinjtë e tu.
9 Thashë me vete: «Do t'i ngjitem palmës e do t'ia vjel unë vilet». Qofshin gjinjtë e tu si vile rrushi e porsi era e mollës, era e frymës sate.
10 Qiellza jote si vera më e mirë që rrjedh këndshëm e rrëshqet lëmuar ndër buzë e ndër dhëmbë.
11 Unë i përkas të shtrenjtit tim e ai fort më dëshiron.
12 Eja, o i shtrenjti im, të dalim ndër fusha, të bujmë ndër katunde.
13 Të shkojmë herët ndër vreshta, të shohim a çeli hardhia, a shpërtheu sythi, a lulëzuan shegët. Atje dashurinë time ty do të ta dhuroj.
14 Madërgonat lëshojnë erë, te dera e shtëpisë çdo të mirë kemi, të re e të vjetër. Për ty i kam ruajtur, o i shtrenjti im.