1I Solomonit. O Perëndi, dhuroja mbretit gjykimet e tua e drejtësinë tënde birit të mbretit,
2që popullin tënd ta gjykojë me drejtësi e skamnorëve të tu t'u japë të drejtën.
3Malet le t'i sjellin paqe popullit e kodrat drejtësi.
4Mbreti le t'u japë drejtësi skamnorëve të popullit, bijtë e nevojtarëve le t'i shpëtojë e shtypësin ta dërrmojë.
5Të paçin frikë brez pas brezi, sa të ketë diell e sa të ketë hënë.
6Le të zbresë si shiu mbi luadh të kositur, si rrebeshi që ujit tokën.
7Në ditët e tij le të lulëzojë i drejti e paqe të madhe le të ketë, derisa të mos jetë më hëna.
8Le të sundojë nga deti në det, nga lumi deri në skajet e tokës.
9Përpara tij le të përkulen banorët e shkretëtirës dhe armiqtë e tij le të lëpijnë pluhurin.
10Mbretërit e Tarshishit e ishujt le t'i sjellin tagrin, mbretërit e Shebës e të Sebës, dhurata.
11Para tij le të përkulen gjithë mbretërit, gjithë kombet atij t'i shërbejnë.
12Se ai do ta shpëtojë nevojtarin që thërret e skamnorin që s'e ndihmon askush.
13Do t'i dhimbset i dobëti e nevojtari, nevojtarëve do t'ua shpëtojë jetën.
14Do t'i shpëtojë nga shtypja e dhuna, gjaku i tyre do të jetë i çmuar në sytë e tij.
15Rroftë mbreti e prej arit të Shebës marrtë! U lutshin për të pa pushim, gjithë ditën e bekofshin!
16Toka dhëntë drithë me shumicë, majave të maleve u valëvitshin kallinjtë, prodhimi i tyre qoftë i begatë si Libani, prej qytetit lulëzofshin si bari i fushës.
17Emri i tij mbettë përjetë! Emri i tij qëndroftë sa të jetë dielli! Në të u bekofshin njerëzit, gjithë kombet e quajtshin të lum.
18Bekuar qoftë Zoti Perëndi, Perëndia i Izraelit, i vetmi që bën mrekulli!
19Bekuar qoftë përjetë edhe emri i tij i lavdishëm e me lavdinë e tij u mbushtë tërë toka! Amen! Amen!
20Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Jeseut.