Psalms 118
1 Përlëvdoni Zotin, se është i mirë, se mirësia e tij mbetet përjetë.
2 Le të thotë Izraeli se mirësia e tij mbetet përjetë.
3 Le të thotë shtëpia e Aronit se mirësia e tij mbetet përjetë.
4 Le të thonë ata që druajnë Zotin se mirësia e tij mbetet përjetë.
5 Kur isha në fatkeqësi i thirra Zotit e Zoti më dëgjoi e më lehtësoi.
6 Zoti është me mua, nuk kam frikë nga asgjë. Çfarë do të më bëjë njeriu?
7 Për ndihmë kam Zotin, ndaj do t'i shpërfill ata që më urrejnë.
8 Më mirë të kërkosh strehë te Zoti, sesa të kesh besim te njerëzit.
9 Më mirë të kërkosh strehë te Zoti, sesa të kesh besim te prijësit.
10 Të gjitha kombet më rrethuan, por i zmbrapsa me emrin e Zotit.
11 Më kishin rrethuar nga çdo anë, por i zmbrapsa me emrin e Zotit.
12 Më kishin rrethuar si bletët, por u shfarosën si ferrat nga flaka, se i zmbrapsa me emrin e Zotit.
13 Më shtynë fort për të më rrëzuar, por më ndihmoi Zoti.
14 Fuqia e forca ime është Zoti, ai u bë shpëtimtari im.
15 Britma gëzimi e shpëtimi jehojnë në tendat e të drejtëve: «E djathta e Zotit bën çudira!
16 E djathta e Zotit u lartësua! E djathta e Zotit bën çudira!».
17 S'kam për të vdekur, do të rroj dhe veprat e Zotit do t'i tregoj.
18 Zoti më mundoi shumë, por në duart e vdekjes nuk më la.
19 Më hapni portat e drejtësisë, që të hyj e të përlëvdoj Zotin.
20 Ja ku është porta e Zotit, nëpër të do të hyjnë të drejtët.
21 Do të të përlëvdoj, se më dëgjove e shpëtimtari im u bëre.
22 Guri që ndërtuesit e hodhën tej, u bë guri i qoshes.
23 Prej Zotit u bë kjo dhe është e mrekullueshme për sytë tanë.
24 Kjo është dita që e bëri Zoti, le të ngazëllejmë e të gëzojmë në të!
25 O Zot, shpëtona! O Zot, jepna mbarësi!
26 Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
27 Perëndi është Zoti dhe ai na ndriçoi. Radhituni për festë, me degë në duar, deri te brirët e altarit.
28 Ti je Perëndia im, ty të përlëvdoj, ti je Perëndia im, ty të madhëroj.
29 Përlëvdoni Zotin, se është i mirë, se mirësia e tij mbetet përjetë.