1Urtia e ndërtoi shtëpinë e vet, ia latoi shtatë shtyllat.
2Theri theroret, përzjeu verën e shtroi tryezën.
3Dërgoi shërbëtoret e veta dhe shpall nga majat e lartësive të qytezës:
4«Kush është i pamësuar, le të kthehet këtu!». Të pamendëve u thotë:
5«Ejani, hani bukën time e pini verën që kam përzier unë!
6Hiqni dorë nga marrëzitë e do të jetoni. Ecni udhës së arsyes!».
7Kush ndreq shpotitësin, turpërohet, kush hahet me të prapin, lëndohet.
8Mos e ndreq shpotitësin, që mos të të urrejë. Ndreqe të urtin e ai do të të dojë.
9Jepi këshilla të urtit e do të jetë edhe më i urtë. Mësoje të drejtin e do t'i shtohet mençuria.
10Fillimi i urtisë është droja e Zotit; njohja e të Shenjtit, kjo është mençuria.
11Falë meje do të shtohen ditët e tua e do të shumohen vitet e jetës sate.
12Në do të jesh i urtë, do të jesh për vete, Në do të jesh shpotitës, për vete do të jesh.
13Marrëzia është si një grua bujëmadhe, si një e pamend që nuk di asgjë.
14Rri ulur në derën e shtëpisë, në fron, lart mbi qytezë
15dhe u thërret kalimtarëve që ecin udhës së tyre të drejtë:
16«Kush është i pamësuar, le të kthehet këtu!». Të pamendëve ajo u thotë:
17«Uji i vjedhur është i ëmbël e buka e marrë tinëz është e shijshme».
18Ata s'e dinë se atje janë hijet dhe të ftuarit e saj janë thellë në skëterrë.