Proverbs 7
1 Biri im, ruaji fjalët e mia e mbaj me vete urdhërimet e mia.
2 Mbaji urdhërimet e mia e do të jetosh, mësimi im të jetë si ninëza e syrit tënd.
3 Lidhi në gishtat e tu, shkruaji mbi rrasën e zemrës sate.
4 Urtisë thuaji: «Ti je motra ime» e gjykimin quaje sivëlla,
5 që të të ruajë nga gruaja e panjohur, nga e huaja fjalëpërkëdhelur.
6 Duke parë përmes flegrash, prej dritares së shtëpisë sime,
7 pashë ndër thjeshtakët, vërejta mes të rinjve, një djalosh mendjelehtë.
8 Ai kaloi në një rruginë, pranë qoshes së një të atille, e u çapit drejt shtëpisë së saj,
9 në mbrëmje, kur ngryset dita, në mug, kur bie nata.
10 Ja, takohet me një grua veshur si lavire, me zemër dredharake;
11 e hedhur, kryeneçe, që s'i zë këmba shtëpi,
12 që herë në rrugë e herë në sheshe, në çdo qoshe në pritë rri.
13 Ajo e zuri dhe e puthi, e i tha me shfytyrësi:
14 «Kam kushtuar fli paqtimi, sot unë kushtet i kam plotësuar,
15 prandaj të kam dalë para: të kërkova e të gjeta.
16 Mbi divanin tim kam shtrirë basma lara-lara, beze nga Egjipti.
17 Mbi shtrat hodha pikla mirre, aloe e kanellë.
18 Eja ta pimë me fund kupën e dashnorëve, të dëfrejmë në dashuri deri në agim.
19 Burri nuk është në shtëpi është nisur për udhë të largët,
20 se ka marrë me vete qesen e parave. Kthehet në shtëpi me hënën e plotë».
21 E mikloi me lajka shumë, e trullosi me joshjen e buzëve të saj.
22 Dhe ai befas i shkon pas, si kau në thertore, si dreri i zënë në lak,
23 derisa një shtizë t'ia shpojë mëlçinë; si një zog që rend në kurth, por ai nuk e di se luan me jetë.
24 Ndaj, o bijtë e mi, dëgjomëni e vëruni vesh fjalëve që po them:
25 mos të të zvargë zemra udhëve të saj, mos u sorollat shtigjeve të saj,
26 se shumë të lënduar ajo ka gremisur e janë të panumërt theroret e saj.
27 Shtëpia e saj është udhë skëterre, teposhtë, në qelitë e vdekjes.