Numbers 21AL1

1Mbreti kananit i Aradit, që jetonte në Negev, dëgjoi se Izraeli po vinte udhës së Atarimit. Ai i sulmoi e zuri rob disa prej tyre.

2Atëherë Izraeli iu zotua Zotit: «Nëse ma dorëzon me të vërtetë këtë popull, do t'i rrënoj qytetet e tyre».

3Zoti e dëgjoi Izraelin dhe ia dorëzoi kananitët. Izraelitët i rrënuan krejt banorët e qytetet e tyre. Kështu, vendi u quajt Hormah.

4Izraelitët u nisën nga mali Hor rrugës së detit të Kuq për t'i rënë përqark tokës së Edomit. Por rrugës, populli e humbi durimin

5e foli kundër Perëndisë e Moisiut: «Përse na nxorët nga Egjipti, që të vdesim në shkretëtirë? S'ka bukë, s'ka ujë e kjo bukë e shpifur na u neverit!».

6Atëherë Zoti dërgoi mes popullit gjarpërinj helmues dhe ata e kafshuan popullin. Shumë prej izraelitëve vdiqën.

7Populli shkoi te Moisiu e i tha: «Mëkatuam, sepse folëm kundër Zotit e kundër teje. Lutju Zotit që t'i largojë gjarpërinjtë prej nesh». Moisiu u lut për popullin

8dhe Zoti i tha: «Bëj një gjarpër helmues dhe vendose në një shtyllë. Kushdo që është kafshuar, ta shikojë e ka për të jetuar».

9Atëherë Moisiu bëri një gjarpër prej bronzi dhe e vendosi mbi një shtyllë. Nëse gjarpri kafshonte dikë, ai vështronte drejt gjarprit prej bronzi dhe jetonte.

10Izraelitët vijuan udhëtimin e fushuan në Obot.

11Pastaj u nisën nga Oboti e fushuan në Ijim Abarim, në shkretëtirën përballë Moabit, në lindje.

12U nisën prej andej e fushuan në luginën e Zeredit.

13U nisën edhe prej Zeredit e fushuan matanë Arnonit që ndodhet në shkretëtirën përtej kufijve të amoritëve. Arnoni është në kufi me Moabin, mes Moabit e amoritëve,

14prandaj edhe thuhet në librin e «Luftrave të Zotit »: «Vahebi në Sufa dhe luginat e Arnonit.

15Rrëpira e luginave që shtrihet drejt banesave të Arit e përqafon kufijtë e Moabit».

16Prej këndej shkuan në Beer. Ky është pusi ku Zoti i tha Moisiut: «Mblidhe bashkësinë që t'u jap ujë».

17Dhe Izraeli këndoi këtë këngë: «Gurro, o pus,

18e ju këndojini pusit që hapën prijësit, që fisnikët e popullit gërmuan, me skeptër e me shkop». Pastaj prej shkretëtirës shkuan në Matanë,

19prej Matanës në Nahaliel, prej Nahalielit në Bamot,

20prej Bamotit në luginën që është në vendin e Moabit, në majë të Pisgahut prej nga shihet Jishmoni.

21Izraeli dërgoi disa lajmëtarë te Sihoni, mbreti i amoritëve, e i tha:

22«Më lër të kaloj përmes tokës tënde. Nuk do të kalojmë as nëpër ara e as nëpër vreshta, as nuk do të pimë ujë nga burimet. Do të ecim rrugës mbretërore derisa të kalojmë përtej kufijve të tu».

23Por Sihoni nuk e la të kalojë përmes tokës së tij. Ai mblodhi tërë popullin dhe i doli para në shkretëtirë. Mbërriti në Jahac dhe e sulmoi.

24Por Izraeli e shkoi në teh të shpatës dhe e pushtoi tokën e tij, nga Arnoni deri në Jabok, deri te pasardhësit e Amonit, sepse kufijtë e amonitëve ishin të mbrojtur mirë.

25Izraeli i pushtoi të gjitha këto qytete amorite e banoi në to, në Heshbon dhe në të gjitha rrethinat.

26Heshboni ishte qyteti i Sihonit, mbretit të amoritëve, i cili kishte luftuar kundër mbretit të mëparshëm të Moabit dhe ia kishte pushtuar tërë vendin që zotëronte, deri në Arnon.

27Prandaj dhe rapsodët thoshin: «Ejani në Heshbon! Të ndërtohet e themelohet qyteti i Sihonit.

28Zjarr shpërtheu prej Heshbonit, flakë prej qytetit të Sihonit. E përpiu Arin e Moabit, i përlau majat e Arnonit.

29Mjerë ti, o Moab! Kaq e pate, o popull i Kemoshit! Djemtë e tu i bëre ikanakë, vajzat e tua robinja të Sihonit, mbretit të amoritëve.

30Me shigjeta i qëlluam. Heshboni deri në Dibon u shkatërrua. E rrënuam derisa zjarri u përhap në Medebë».

31Kështu, Izraeli banoi në tokën e amoritëve.

32Atëherë Moisiu dërgoi disa njerëz që të përgjojnë Jazerin. Ata i pushtuan rrethinat e Jazerit e i dëbuan amoritët që ishin atje.

33Izraelitët u kthyen e shkuan rrugës për në Bashan. Ogu, mbreti i Bashanit, bashkë me gjithë popullin, u doli përpara në Edrej, që të ndeshej me ta.

34Zoti i tha Moisiut: «Mos e ki frikë, se ta kam dorëzuar atë, gjithë popullin dhe tokën e tij. Vepro me të siç veprove me Sihonin, mbretin e amoritëve, që banonte në Heshbon».

35Kështu, izraelitët i ranë aq fort Ogut, bijve e gjithë popullit të tij, sa askush nuk shpëtoi. Ata e pushtuan tokën e tij.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Numbers 21.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.