Numbers 19AL1

1Zoti i tha Moisiut e Aronit:

2«Ky është rregull ligjor që Zoti ka urdhëruar: “Thuaju izraelitëve të të sjellin një mëshqerrë të kuqe, të shëndetshme e të patëmetë, që nuk është vënë në zgjedhë.

3Jepja priftit Eleazar. Mëshqerra të nxirret jashtë fushimit e të theret para tij.

4Eleazari ta ngjyejë gishtin në gjakun e mëshqerrës e të spërkatë shtatë herë para tendës së takimit.

5Pastaj e gjithë mëshqerra, lëkura, mishi, gjaku e rropullitë të digjen para tij.

6Prifti të marrë dru cedri, hisop e lesh me ngjyrë të kuqe të ndezur e t'i hedhë në mes të zjarrit që djeg mëshqerrën.

7Atëherë prifti të lajë rrobat e trupin e vet me ujë. Pastaj të hyjë në fushim. Ai do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

8Edhe ai që e dogji mëshqerrën t'i lajë rrobat e trupin e vet me ujë. Ai do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

9Atëherë dikush që është i pastër ta mbledhë hirin e mëshqerrës e ta vendosë jashtë fushimit, në një vend të pastër, që të përdoret nga bashkësia e izraelitëve për ujin e pastrimit, sepse është fli mëkati.

10Ai që mblodhi hirin e mëshqerrës të lajë rrobat e veta. Ai do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Ky është rregull i përhershëm si për izraelitët, edhe për të huajt që banojnë mes jush.

11Kushdo që prek kufomën e një njeriu, do të jetë i papastër për shtatë ditë.

12Në ditën e tretë, të pastrojë veten me ujin e pastrimit. Në ditën e shtatë do të jetë i pastër, por nëse nuk pastrohet ditën e tretë nuk do të jetë i pastër ditën e shtatë.

13Kushdo që nuk pastrohet pasi ka prekur kufomën e një njeriu, përdhos tendën e Zotit, prandaj dhe do të zhbihet prej Izraelit. Ai është i papastër dhe i tillë do të mbesë, sepse nuk u spërkat me ujin e pastrimit.

14Ky është ligji për ata që vdesin në tendë: kushdo që hyn apo që është në tendë do të jetë i papastër për shtatë ditë.

15Çdo enë e hapur e pa mbuluar me kapak do të jetë e papastër.

16Kushdo që prek në fushë të hapur një njeri që është vrarë me shpatë apo që ka vdekur natyrshëm, eshtra njeriu apo ndonjë varr, do të jetë i papastër për shtatë ditë.

17Për të pastruar të papastrin të merret hi nga flija për mëkatin e djegur e të shtihet në një enë të mbushur me ujin e jetës.

18Atëherë dikush që është i pastër të marrë hisop, ta ngjyejë në ujë e të spërkatë tendën, të gjitha enët, njerëzit që ishin atje, këdo që kishte prekur ndonjë eshtër apo varr, ndonjë të vrarë apo të vdekur.

19I pastri të spërkatë të papastrin ditën e tretë e të shtatë. Ai do ta pastrojë të papastrin ditën e shtatë. Pasi i ka larë rrobat në ujë, i papastri do të jetë i pastër në mbrëmje.

20I papastri që nuk pastrohet të zhbihet prej bashkësisë, sepse ka përdhosur shenjtëroren e Zotit. Ai është i papastër, sepse nuk u spërkat me ujin e pastrimit.

21Ky është rregull i përhershëm. Kushdo që spërkat ujin e pastrimit t'i lajë rrobat e veta. Kushdo që e prek ujin e pastrimit do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

22Çdo gjë që prek i papastri do të jetë e papastër e kushdo që prek diçka të papastër do të jetë i papastër deri në mbrëmje”».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Numbers 19.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.