1Pastaj, i shtyrë nga Shpirti, Jezui shkoi në shkretëtirë që të tundohej nga djalli.
2Pasi agjëroi për dyzet ditë e dyzet net, Jezuin e mori uria.
3Atëherë erdhi tunduesi tek ai e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, thuaju këtyre gurëve të bëhen bukë».
4Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë ».
5Pastaj djalli e çoi në qytetin e shenjtë, e vuri në pikën më të lartë të tempullit
6e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar: do t'i urdhërojë engjëjt e tij të të ruajnë dhe ata do të të mbajnë në duart e tyre, që mos të të ndeshë këmba në gur ».
7Jezui i tha: «Është shkruar: mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd ».
8Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë e i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre.
9Dhe i tha Jezuit: «Do të t'i jap të gjitha këto nëse bie në gjunjë e më adhuron».
10Atëherë Jezui i tha: «Shporru, Satan, sepse është shkruar: adhuro Zotin, Perëndinë tënd, dhe shërbeji vetëm atij ».
11Atëherë djalli u largua nga Jezui dhe, ja, erdhën engjëjt e i shërbenin.
12Kur Jezui dëgjoi se Gjonin e kishin burgosur, u largua për në Galile.
13Nuk qëndroi në Nazaret, por shkoi për të jetuar në Kafarnaum, qytet pranë liqenit, në tokën e Zabulonit e të Neftalimit,
14që të përmbushej çfarë kishte thënë profeti Isai:
15tokë e Zabulonit dhe tokë e Neftalimit, në rrugën drejt detit, përtej Jordanit, Galile e kombeve!
16Populli që ishte në errësirë pa një dritë të madhe dhe për ata që ishin në vendin e hijes së vdekjes zbardhi drita.
17Që atëherë Jezui filloi të predikonte e të thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër».
18Ndërsa po ecte bregut të liqenit të Galilesë, Jezui pa dy vëllezër, Simonin që quhej Pjetër dhe Andrean, vëllanë e tij, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë.
19Jezui u tha: «Ejani pas meje dhe unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish».
20Ata lanë menjëherë rrjetat e shkuan pas tij.
21Pak më tutje Jezui pa dy vëllezër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, të vëllanë, që ishin në një varkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke arnuar rrjetat dhe i thirri.
22Ata lanë menjëherë varkën dhe të atin e shkuan pas tij.
23Jezui shkonte nëpër Galile duke mësuar njerëzit në sinagoga, duke shpallur ungjillin e mbretërisë e duke shëruar çdo sëmundje e lëngatë në popull.
24Kështu, për të u hap fjala në gjithë Sirinë. Atëherë i sollën të gjithë të sëmurët, njerëz të prekur nga sëmundje e dhimbje të ndryshme, të pushtuar nga djalli, me sëmundjen e tokës e të paralizuar, dhe ai i shëroi.
25Turma të mëdha njerëzish nga Galilea e Dekapoja, nga Jerusalemi, Judeja e përtej Jordanit, shkonin pas tij.