Matthew 15AL1

1Farisenjtë dhe shkruesit erdhën te Jezui nga Jerusalemi e i thanë:

2«Përse dishepujt e tu e shkelin traditën e të parëve? Ata nuk i lajnë duart kur hanë».

3Jezui u përgjigj: «Po ju, pse e shkelni urdhërimin e Perëndisë për hir të traditës suaj?

4Se Perëndia ka thënë: ndero atin tënd e nënën tënde dhe kush flet keq për të atin e të ëmën, të dënohet me vdekje.

5Por ju thoni: “Kush i thotë të atit apo të ëmës se ndihmën që do t'ju jepja juve po ia kushtoj Perëndisë,

6ai është i çliruar nga detyrimi për të nderuar të atin ”. Kështu, për shkak të traditës suaj keni shfuqizuar fjalën e Perëndisë.

7Hipokritë! Mirë profetizoi Isaia për ju, kur tha:

8ky popull më nderon me buzë, por zemrat e tyre janë larg meje.

9Më kot më nderojnë, përderisa japin si mësim të Zotit urdhrat e njerëzve ».

10Pastaj e thirri turmën pranë vetes e tha: «Dëgjoni e merrni vesh!

11Njeriun nuk e ndot çfarë hyn në gojë, por e ndot çfarë del prej saj».

12Atëherë erdhën dishepujt e i thanë: «A e di se u je bërë pengesë farisenjve kur e kanë dëgjuar këtë gjë?».

13Jezui u përgjigj: «Çdo bimë që nuk është mbjellë nga Ati im, do të shkulet me gjithë rrënjë.

14Lërini ata! Ata janë të verbër që udhëheqin të verbër. Nëse një i verbër i prin një të verbri tjetër, do të bien të dy në gropë».

15Por Pjetri i tha: «Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë».

16Jezui tha: «Ende nuk e keni kuptuar?

17A nuk e dini se çfarë hyn në gojë, kalon në bark e pastaj jashtëqitet?

18Ndërsa çfarë del nga goja rrjedh nga zemra dhe kjo e ndot njeriun.

19Nga zemra dalin mendimet e këqija, vrasjet, tradhtitë bashkëshortore, kurvëritë, vjedhjet, dëshmitë e rreme e fyerjet.

20Këto e ndotin njeriun e jo ngrënia me duar të palara».

21Jezui u largua që andej e shkoi në rrethinat e Tirit e të Sidonit.

22Dhe ja, një grua kananite, nga ajo krahinë, shkoi e i tha me zë të lartë: «Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit, se vajzën time e ka pushtuar keq djalli».

23Por Jezui nuk iu përgjigj. Dishepujt e tij iu afruan e i thanë: «Largoje atë, se na vjen nga pas duke bërtitur».

24Ai u përgjigj: «Unë jam dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit».

25Por ajo erdhi, i ra në gjunjë e i tha: «O Zot, më ndihmo!».

26Ai iu përgjigj: «Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t'ua hedhësh qenve».

27Ajo i tha: «Po, o Zot, por edhe qentë hanë thërrimet që bien nga tryeza e të zotëve».

28Jezui iu përgjigj: «O grua, i madh është besimi yt! Le të bëhet ashtu siç dëshiron». Vajza e saj u shërua që në atë çast.

29Jezui u largua që andej e shkoi bregut të liqenit të Galilesë. U ngjit në mal dhe u ul aty.

30Turma të mëdha erdhën tek ai duke sjellë me vete të çalë, të verbër, të gjymtuar, memecë e shumë të tjerë. I ulën te këmbët e tij dhe ai i shëroi.

31Kështu turmat u mrekulluan kur panë memecët që po flisnin, të gjymtuarit që shëroheshin, të çalët që ecnin, të verbrit që shikonin dhe përlëvduan Perëndinë e Izraelit.

32Pastaj Jezui thirri pranë vetes dishepujt e u tha: «Më dhimbset turma, se kanë tri ditë që rrinë me mua e nuk kanë asgjë për të ngrënë. Nuk dua t'i lë të shkojnë të uritur e të mbeten rrugës».

33Dishepujt i thanë: «Ku ta gjejmë gjithë atë bukë në shkretëtirë për të ushqyer tërë këtë turmë?».

34Jezui i pyeti: «Sa bukë keni?». Ata iu përgjigjën: «Shtatë bukë e disa peshq të vegjël».

35Pasi urdhëroi turmën të ulej përdhe,

36mori shtatë bukët dhe peshqit, tha lutjen e falënderimit, i theu bukët, ua dha dishepujve e dishepujt ua dhanë turmave.

37Të gjithë hëngrën e u ngopën dhe morën me vete shtatë shporta me copat që tepruan.

38Ata që hëngrën ishin katër mijë burra, përveç grave e fëmijëve.

39Jezui i shpërndau turmat, hipi në varkë e shkoi në krahinën e Magadanit.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Matthew 15.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.