Mark 15
1 Në mëngjes herët kryepriftërinjtë së bashku me pleqtë, shkruesit dhe gjithë sinedrin, pasi u këshilluan, e lidhën Jezuin, e morën e ia dorëzuan Pilatit.
2 Pilati e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui iu përgjigj: «Ti vetë po e thua».
3 Ndërkaq kryepriftërinjtë e padisnin për shumë gjëra.
4 Dhe Pilati e pyeti përsëri: «Nuk po jep asnjë përgjigje? Shiko për sa gjëra po të padisin».
5 Por Jezui nuk iu përgjigj për asgjë, gjë që e çuditi shumë Pilatin.
6 Për çdo festë Pashke Pilati lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës.
7 Një njeri që quhej Barabë gjendej në burg bashkë me disa kryengritës të tjerë, të cilët kishin bërë një vrasje në një kryengritje.
8 Atëherë erdhi turma e filloi t'i kërkonte Pilatit atë që ai e kishte zakon të bënte për ta.
9 Pilati i pyeti: «A doni t'ju liroj mbretin e judenjve?».
10 Sepse ai e kishte kuptuar se kryepriftërinjtë ia kishin dorëzuar Jezuin nga smira.
11 Por kryepriftërinjtë e nxitën turmën që në vend të tij të lironte Barabën.
12 Pilati u tha përsëri: «Atëherë çfarë doni të bëj me atë që e quani mbret të judenjve?».
13 Ata thirrën përsëri: «Kryqëzoje!».
14 Por Pilati u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë?». Atëherë ata thirrën edhe më fort: «Kryqëzoje!».
15 Kështu Pilati, për të kënaqur turmën, liroi Barabën dhe, pasi e fshikulluan Jezuin, e dorëzoi që ta kryqëzonin.
16 Atëherë ushtarët e morën Jezuin dhe e futën në oborrin e pallatit, domethënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën.
17 E veshën me purpur dhe, pasi thurën një kurorë me gjemba, ia vunë në kokë.
18 Pastaj filluan t'i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!».
19 E godisnin në kokë me kallam, e pështynin dhe duke rënë në gjunjë, përkuleshin para tij.
20 Pasi e tallën, ia hoqën petkun e purpurt dhe e veshën me rrobat e veta. Pastaj e nxorën jashtë për ta kryqëzuar.
21 Atëherë detyruan një kalimtar që po kthehej nga ara, njëfarë Simoni nga Kirena, i ati i Aleksandrit e i Rufit, të mbartte kryqin e Jezuit.
22 Kështu e çuan Jezuin në vendin e Golgotës që do të thotë «Vendi i Kafkës»
23 dhe i dhanë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.
24 Pastaj e kryqëzuan dhe hodhën short për të ndarë rrobat e tij, që të shihnin çfarë do t'i binte secilit.
25 Ishte ora nëntë e mëngjesit kur e kryqëzuan.
26 Mbishkrimi me shkakun e dënimit thoshte: «Mbreti i judenjve».
27 Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë të tij.
28 ...
29 Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin e do ta ndërtoje për tri ditë,
30 shpëto veten e zbrit nga kryqi!».
31 Edhe kryepriftërinjtë me shkruesit e tallnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot.
32 Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi, që të shohim e të besojmë». Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin.
33 Në mesditë u bë errësirë në gjithë tokën deri në orën tre të pasdites.
34 Në orën tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: « Eloi, Eloi lema sabakthani? » që e përkthyer do të thotë: « Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise? ».
35 Disa nga ata që ishin aty, kur e dëgjuan, thanë: «Ja, po thërret Elinë».
36 Dikush shkoi me vrap dhe, pasi ngjeu një sfungjer në uthull, e vuri në një kallam, ia drejtoi Jezuit e tha: «Prisni, të shohim nëse do të vijë Elia për ta zbritur».
37 Jezui lëshoi një britmë të madhe e dha shpirt.
38 Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë.
39 Kryeqindësi që rrinte përballë tij, kur e pa duke dhënë shpirt në atë mënyrë, tha: «Me të vërtetë ky njeri paska qenë Biri i Perëndisë».
40 Aty gjendeshin edhe disa gra që shikonin nga larg. Ndër to ishin Maria Magdalena, Maria nëna e Jakobit të vogël dhe e Josesë, si dhe Salomeja,
41 të cilat e kishin ndjekur e i kishin shërbyer kur Jezui ishte në Galile; ishin edhe shumë të tjera që kishin ardhur me të në Jerusalem.
42 Tashmë kishte rënë mbrëmja dhe ishte e premte, domethënë vigjilja e së shtunës.
43 Jozefi nga Arimateja, anëtar i respektuar i sinedrit, që gjithashtu priste mbretërinë e Perëndisë, shkoi me guxim te Pilati e i kërkoi trupin e Jezuit.
44 Pilati, i çuditur që tashmë kishte vdekur, thirri kryeqindësin dhe e pyeti nëse kishte shumë kohë që kishte vdekur.
45 Pasi u njoftua nga kryeqindësi, ia dha kufomën Jozefit.
46 Ky bleu një pëlhurë prej liri, e zbriti kufomën nga kryqi dhe pasi e mbështolli, e vuri në një varr të hapur në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur mbi grykën e varrit.
47 Ndërkaq, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Josesë, e panë ku e vunë Jezuin.