Luke 2AL1

1Në ato ditë Cezar Augusti nxori një dekret për shënimin e tërë popullsisë.

2Shënimi i parë ishte bërë kur Kuirini qeveriste Sirinë.

3Të gjithë shkonin për t'u shënuar, secili në qytetin e vet.

4Edhe Jozefi, që ishte nga Galilea, nga qyteti i Nazaretit, shkoi në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Betlehem, sepse ishte nga shtëpia e nga fisi i Davidit,

5për t'u shënuar së bashku me Marinë, të fejuarën e tij, që ishte shtatzënë.

6Ndërsa ndodheshin në Betlehem, i erdhën ditët për të lindur

7dhe lindi birin e saj të parëlindur. E mbështolli në pelena dhe e vuri në grazhd, se në bujtinë nuk kishte vend për ta.

8Në atë vend gjendeshin disa barinj që kalonin natën nëpër ara duke ruajtur tufën e tyre.

9Një engjëll i Zotit iu shfaq atyre dhe lavdia e Zotit i mbështolli me dritë. Ata u trembën shumë,

10por engjëlli u tha: «Mos kini frikë! Ja, po ju jap lajmin e mirë, një gëzim të madh për të gjithë popullin:

11sot, në qytetin e Davidit ka lindur për ju një shpëtimtar që është Krishti Zot.

12Shenja për ju do të jetë kjo: do të gjeni një fëmijë të mbëshjellë në pelena e të shtrirë në grazhd».

13Papritur bashkë me engjëllin u duk një ushtri e madhe qiellore që lavdëronte Perëndinë kështu:

14«Lavdi i qoftë Perëndisë në lartësitë qiellore e paqe në tokë njerëzve që ai i ka për zemër».

15Kur u larguan engjëjt prej tyre e u kthyen në qiell, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: «Të shkojmë në Betlehem e të shohim çfarë ka ndodhur, atë që na ka bërë të ditur Zoti».

16Ata shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë me Jozefin e fëmijën të shtrirë në grazhd.

17Kur e panë, shpallën çfarë u qe thënë për foshnjën.

18Dhe të gjithë ata që dëgjuan mbetën të habitur nga tregimi i barinjve.

19Maria i ruante dhe i shqyrtonte të gjitha këto në zemrën e saj.

20Atëherë barinjtë u kthyen duke përlëvduar Perëndinë e duke i thurur lavde për gjithçka panë e dëgjuan, ashtu siç u qe thënë.

21Pas tetë ditësh, kur e rrethprenë, i vunë emrin Jezu, emrin që i kishte vënë engjëlli para se të ngjizej.

22Kur erdhi koha e pastrimit të tyre në tempull, sipas ligjit të Moisiut, Jozefi dhe Maria e çuan Jezuin në Jerusalem për t'ia paraqitur Zotit,

23siç është shkruar në ligjin e Zotit: çdo djalë i parë do t'i kushtohet Zotit

24dhe për të kushtuar flinë siç thuhet në ligjin e Zotit: një çift turtujsh ose dy pëllumba të vegjël.

25Në atë kohë jetonte në Jerusalem një njeri me emrin Simeon. Ky njeri ishte i drejtë e i përkushtuar ndaj Perëndisë. Ai priste ngushëllimin e Izraelit dhe Shpirti i shenjtë ishte me të.

26Shpirti i shenjtë i kishte zbuluar se nuk do të vdiste pa e parë Krishtin e Zotit.

27I udhëhequr nga Shpirti, ai erdhi në tempull dhe kur prindërit sollën Jezuin foshnjë, për të përmbushur me të kërkesat e ligjit,

28Simeoni e mori Jezuin në krahë dhe bekoi Perëndinë kështu:

29«Tani, o Zot, lëre shërbëtorin tënd të shkojë në paqe, sipas fjalës sate,

30se me sytë e mi e pashë shpëtimin tënd

31që ti e përgatite në sytë e të gjithë popujve,

32dritë për të ndriçuar kombet e lavdi për popullin tënd, Izraelin».

33I ati dhe e ëma e Jezuit mrekulloheshin nga gjërat që thuheshin për të.

34Atëherë Simeoni i bekoi e i tha Marisë, nënës së Jezuit: «Ja, ky fëmijë do të jetë shkak për rënien dhe ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe shenjë kundërshtimi,

35që të zbulohen mendimet e shumë zemrave. Ndërsa ty një shpatë do të ta përshkojë shpirtin».

36Aty gjendej edhe një profeteshë, Ana, e bija e Fanuelit, nga fisi i Asherit. Ajo ishte e shkuar në moshë, kishte jetuar shtatë vjet me burrin e saj

37e pastaj jetoi si vejushë derisa u bë tetëdhjetë e katër vjeç. Ajo nuk largohej nga tempulli, por adhuronte Zotin ditë e natë, duke agjëruar e duke u lutur.

38Meqenëse ndodhej aty në atë çast, filloi edhe ajo të lavdëronte Zotin dhe u fliste për fëmijën atyre që prisnin shpengimin e Jerusalemit.

39Si kryen gjithçka sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre Nazaret.

40Fëmija rritej e forcohej plot urti dhe hiri i Zotit ishte me të.

41Prindërit e Jezuit shkonin çdo vit në Jerusalem për festën e Pashkës.

42Kur ai mbushi dymbëdhjetë vjeç, shkuan përsëri atje, sipas zakonit.

43Si kaluan ditët e festës, ata u nisën për t'u kthyer. Fëmija Jezu mbeti në Jerusalem, por prindërit nuk e morën vesh këtë gjë.

44Meqë mendonin se ai ishte bashkë me udhëtarët e tjerë, ata udhëtuan gjithë ditën e pastaj filluan ta kërkonin te të afërmit e të njohurit,

45por nuk e gjetën dhe u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar.

46Pas tri ditësh e gjetën në tempull. Ishte ulur në mes të mësuesve që i dëgjonte e i pyeste.

47Të gjithë ata që e dëgjonin mahniteshin nga zgjuarsia e përgjigjet e tij.

48Kur e panë, u habitën dhe e ëma i tha: «Bir, pse na e bëre këtë? Unë e yt atë po të kërkonim gjithë ankth».

49Jezui u përgjigj: «Pse po më kërkonit? A nuk e dinit se duhet të merrem me punët e Atit tim?».

50Por ata nuk i kuptuan fjalët e tij.

51Pastaj u nis bashkë me ta, u kthye në Nazaret e u bindej. Nëna e tij i ruante të gjitha këto gjëra në zemër.

52Jezui rritej në urti, në moshë e në hir para Perëndisë e njerëzve.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Luke 2.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.