Leviticus 6
1 Zoti i tha Moisiut:
2 «Jepi këtë urdhër Aronit e bijve të tij: ky është udhëzimi për flinë e shkrumbimit: flija e shkrumbimit të vendoset mbi vatrën e zjarrit të altarit gjatë gjithë natës, deri në mëngjes. Zjarri i altarit të mbahet ndezur.
3 Prifti, i veshur me petkun dhe mbathjet prej liri, të mbledhë prej altarit hirin e flisë së shkrumbimit, që ka djegur zjarri, e ta derdhë pranë altarit.
4 Mandej, t'i heqë ato rroba e të veshë të tjera dhe ta çojë hirin jashtë fushimit, në një vend të pastër.
5 Zjarri mbi altar të mbahet ndezur dhe të mos lihet të shuhet. Çdo mëngjes, prifti ta ushqejë me dru, të vendosë mbi të flinë e shkrumbimit e të djegë mbi të dhjamin e flive të paqtimit.
6 Zjarri mbi altar të rrijë përherë ndezur e të mos shuhet.
7 Ky është udhëzimi për flinë e drithit: flinë e drithit e paraqesin para altarit në prani të Zotit bijtë e Aronit.
8 Prifti të marrë një grusht majë mielli prej flisë së drithit, një pjesë të vajit, si dhe të gjithë temjanin e vendosur mbi flinë e drithit e t'i djegë mbi altar si fli erëkëndshme përkujtimi për Zotin.
9 Pjesën e mbetur ta hanë Aroni e bijtë e tij si bukë të ndorme. Ta hanë në vend të shenjtë, në tremen e tendës së takimit.
10 Të mos piqet me tharm, sepse është pjesa që u kam dhënë prej flive të zjarrit. Ajo është shumë e shenjtë, ashtu si flitë për mëkatin dhe flitë për fajin.
11 Prej saj mund të hanë të gjithë pasardhësit meshkuj të Aronit. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë në lidhje me flitë e zjarrit për Zotin. Kush i prek ato, bëhet i shenjtë».
12 Zoti i tha Moisiut:
13 «Ditën që vajosen si priftërinj, Aroni e bijtë e tij të kushtojnë para Zotit tre kilogramë majë mielli si fli drithi të përhershme, gjysmën në mëngjes e gjysmën në darkë.
14 Të përgatitet me vaj në saç, të jetë e rrahur mirë e të paraqitet si fli drithi e thyer në copa, si fli erëkëndshme për Zotin.
15 Kështu do të veprojë edhe kush do të vajoset si prift nga bijtë e tij për ta pasuar. Ky është rregull i përhershëm dhe e gjithë flija do të digjet për Zotin.
16 Çdo fli drithi e kushtuar prej priftit të digjet e tëra e të mos hahet».
17 Zoti i tha Moisiut:
18 «Thuaji Aronit e bijve të tij: ky është udhëzimi për flinë e mëkatit: në vendin ku theret flija e shkrumbimit, atje të theret edhe flija për mëkatin para Zotit. Kjo është një gjë shumë e shenjtë.
19 Prifti që kushton flinë për mëkatin të hajë prej saj në vend të shenjtë, në tremen e tendës së takimit.
20 Çdo gjë që prek mishin e flisë është e shenjtë. Nëse bie ndonjë pikë prej gjakut të saj në rrobë, rroba të lahet në vend të shenjtë.
21 Ena e baltës, në të cilën është gatuar flija, të thyhet. Nëse është gatuar në enë të bronztë, ena të fërkohet mirë e të shpëlahet me ujë.
22 Prej saj mund të hajë çdo mashkull i familjeve priftërore, sepse është një gjë shumë e shenjtë,
23 ndërsa flija për mëkatin, një pjesë e gjakut të së cilës është çuar në tendën e takimit për të bërë shlyerjen e mëkatit në shenjtërore, të mos hahet, por të digjet në zjarr».