Judges 4AL1

1Pas vdekjes së Ehudit, izraelitët filluan të bënin sërish ligësi në sytë e Zotit.

2Atëherë Zoti i dorëzoi te Jabini, mbreti i Kanaanit, që sundonte në Hacor. Komandant i ushtrisë së tij ishte Siseri. Ai banonte në Haroshet Gojim.

3Izraelitët thirrën në ndihmë Zotin, sepse Jabini zotëronte nëntëqind qerre hekuri dhe kishte njëzet vjet që i mbante shtypur me dhunë izraelitët.

4Asokohe gjyqtare në Izrael ishte një profeteshë, Debora, gruaja e Lapidotit.

5Ajo rrinte nën një palmë, që njihej si palma e Deborës dhe ndodhej midis Ramahut dhe Betelit, në malësinë e Efraimit. Izraelitët shkonin tek ajo për të kërkuar gjykimin e saj.

6Ajo dërgoi të thërrasin Barakun, birin e Abinoamit, nga Kedeshi i Neftaliut, e i tha: «Kështu të urdhëron Zoti, Perëndia i Izraelit: “Marsho drejt malit Tabor e merr me vete dhjetë mijë burra nga fisit i Neftaliut dhe nga fisi i Zabulonit.

7Do ta bëj Siserin, komandantin e ushtrisë së Jabinit, të vijë te ti në përroin e Kishonit, bashkë me qerret dhe trupat e tij, dhe do të ta dorëzoj”».

8Baraku iu përgjigj: «Do të shkoj po të vish edhe ti me mua. Po nuk erdhe ti, nuk kam për të shkuar».

9Debora i tha: «Do të vij me ty, por nderi për sulmin nuk do të të mbetet ty, sepse Zoti do ta dorëzojë Siserin në duart e një gruaje». Debora u ngrit e shkoi me Barakun në Kedesh.

10Baraku thirri fisin e Zabulonit dhe të Neftaliut në Kedesh e u nis me dhjetë mijë luftëtarë. Me ta shkoi edhe Debora.

11Pranë Kedeshit jetonte Heber Keniti. Ai ishte ndarë nga kenitët e tjerë, pasardhës të Hobabit, vjehrrit të Moisiut, dhe e kishte ngritur tendën pranë Lisit të Cananimit.

12Siserit i thanë se Baraku, biri i Abinoamit, ishte ngjitur në malin Tabor.

13Atëherë Siseri mblodhi të nëntëqind qerret që kishte e të gjithë ushtrinë dhe marshoi nga Haroshet Gojimi në përroin e Kishonit.

14Debora i tha Barakut: «Ngrihu, sepse sot Zoti do të ta dorëzojë Siserin. Ja, vetë Zoti po marshon para teje». Baraku zbriti prej malit Tabor në krye të dhjetë mijë burrave.

15Atëherë Zoti e hutoi Siserin dhe e shpartalloi me shpatë ushtrinë dhe qerret e tij para syve të Barakut. Siseri zbriti nga qerrja dhe mori arratinë në këmbë.

16Baraku i ndoqi qerret dhe ushtrinë e Siserit deri në Haroshet Gojim. E gjithë ushtria e Siserit u shfaros nga tehu i shpatës dhe nuk mbeti njeri gjallë.

17Ndërkohë Siseri kishte mbërritur në këmbë te tenda e Jaelës, gruas së Heber Kenitit. Jabini, mbreti i Hacorit, ishte në paqe me shtëpinë e Heber Kenitit.

18Jaela doli për të takuar Siserin e i tha: «Eja, hyr brenda, imzot! Eja, hyr brenda e mos ki frikë!». Siseri hyri në tendën e Jaelës dhe ajo i hodhi sipër një mbulojë.

19Siseri i tha Jaelës: «Më jep pak ujë për të pirë, sepse kam etje». Ajo hapi calikun e qumështit dhe i dha për të pirë. Pastaj e mbuloi.

20Siseri i tha: «Qëndro te hyrja e tendës dhe po të të pyesë kush në ka njeri brenda, thuaji “jo”».

21Siserin e zuri një gjumë i thellë. Jaela, gruaja e Heberit, mori një kunj tende dhe një çekiç, u afrua pa bërë zë dhe ia nguli kunjin në tëmth. Kunji u ngul deri në tokë dhe Siseri vdiq.

22Atë çast mbërriti Baraku, që ishte vënë në ndjekje të Siserit. Jaela doli për ta takuar e i tha: «Eja të të tregoj njeriun që kërkon». Baraku hyri në tendë dhe pa Siserin tek dergjej i vdekur me kunjin të ngulur në tëmth.

23Atë ditë Perëndia e poshtëroi Jabinin, mbretin e Kanaanit, para izraelitëve.

24Izraelitët u bënë gjithnjë e më të fortë përballë Jabinit, mbretit të Kanaanit, derisa e shkatërruan plotësisht.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Judges 4.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.