Jonah 3AL1

1Zoti i foli për herë të dytë Jonait e i tha:

2«Ngrihu e shko në qytetin e madh të Ninivës e kumtoji çfarë po të them».

3Atëherë Jonai u ngrit e shkoi në Ninivë, siç i kishte thënë Zoti. Niniva ishte një qytet aq i madh, saqë duheshin tri ditë udhë për ta përshkuar.

4Jonai bëri një ditë udhë nëpër qytet duke thirrur: «Edhe dyzet ditë dhe Niniva shkatërrohet!».

5Atëherë banorët e Ninivës besuan në Perëndinë, shpallën agjërim e u veshën me grathore, nga më i madhi e deri te më i vogli.

6Kur fjala i vajti në vesh mbretit të Ninivës, ai u ngrit nga froni, hoqi gunën, u vesh me grathore dhe u ul në hi.

7Nxori edhe një lajmërim në Ninivë ku thuhej: «Me dekret të mbretit e të fisnikëve të tij, asnjë njeri apo kafshë, tufë apo kope, të mos vërë gjë në gojë, të mos hajë e as ujë të mos pijë.

8Njerëzit e kafshët të vishen me grathore e t'i thërrasin fort Perëndisë për ndihmë. Secili të kthehet nga udha e tij e ligë dhe nga dhuna që bën.

9Kush e di! Ndoshta Perëndia ndërron mendje, zbutet dhe heq dorë nga zemërimi i tij i madh e kështu nuk marrim fund».

10Perëndia pa se çfarë bënë banorët e Ninivës dhe si u kthyen nga udha e tyre e ligë. Atëherë Perëndia u zbut për të keqen që kishte thënë se do t'u bënte dhe nuk e bëri.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Jonah 3.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.