John 1
1 Në fillim ishte Fjala. Fjala ishte me Perëndinë. Fjala ishte Perëndi.
2 Fjala ishte që në fillim me Perëndinë.
3 Gjithçka u bë nëpërmjet tij dhe asgjë e krijuar nuk u bë pa të.
4 Në të gjendej jeta dhe jeta ishte drita e njerëzve.
5 Drita ndriçon në errësirë dhe errësira nuk e mundi dot.
6 Perëndia dërgoi një njeri që quhej Gjon.
7 Ai erdhi të jepte dëshmi për dritën, që të gjithë të besojnë nëpërmjet tij.
8 Ai nuk ishte drita, por dëshmitar i dritës.
9 Fjala ishte drita e vërtetë, e cila vjen në botë dhe ndriçon çdo njeri.
10 Ai ishte në botë dhe bota u bë nëpërmjet tij, por bota nuk e njohu.
11 Ai erdhi te të vetët, por të vetët nuk e pranuan.
12 Atyre që e pranuan dhe besuan në emrin e tij, u dha të drejtën të bëhen bij të Perëndisë.
13 Ata nuk lindën prej gjakut, as prej vullnetit njerëzor a prej dëshirës së burrit, por prej Perëndisë.
14 Dhe Fjala u mishërua e banoi mes nesh. Ne e pamë lavdinë e tij, lavdi e Birit të vetëmlindur të Atit, plot hir e të vërtetë.
15 Gjoni dëshmoi për të. Ai tha me zë të lartë: «Ky është ai për të cilin thashë: ai që vjen pas meje është më i madh se unë, sepse ishte para meje».
16 Ne të gjithë morëm hir mbi hir prej plotësisë së tij.
17 Ligji u dha përmes Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën përmes Jezu Krishtit.
18 Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Biri i vetëmlindur që është në gjirin e Atit, ai na e bëri të njohur.
19 Kjo është dëshmia e Gjonit kur të parët e judenjve nga Jerusalemi i dërguan priftërinj e levitë që ta pyesnin: «Kush je ti?».
20 Ai nuk ngurroi të përgjigjej, por rrëfeu: «Unë nuk jam Krishti».
21 Ata e pyetën: «Atëherë, kush je ti? A mos je Elia?». Gjoni tha: «Jo, nuk jam». «A mos je profeti?». Ai u përgjigj: «Jo».
22 Atëherë i thanë: «Kush je ti? Se duhet t'u japim një përgjigje atyre që na dërguan. Ç'thua për veten tënde?».
23 Gjoni tha: «Unë jam zëri që thërret në shkretëtirë: bëni gati udhën për Zotin! ». Kështu kishte thënë edhe profeti Isai.
24 Të dërguarit ishin nga farisenjtë.
25 Ata e pyetën: «Nëse ti nuk je Krishti, as Elia e as profeti, atëherë, përse pagëzon?».
26 Gjoni u përgjigj: «Unë pagëzoj me ujë, por mes jush qëndron ai që ju nuk e njihni.
27 Ai vjen pas meje, por unë nuk jam i denjë as t'i zgjidh lidhëset e sandaleve».
28 Të gjitha këto ndodhën në Betani, në anën tjetër të lumit Jordan, ku Gjoni po pagëzonte.
29 Të nesërmen Gjoni pa Jezuin që po vinte drejt tij e tha: «Ja Qengji i Perëndisë që merr mbi vete mëkatin e botës!
30 Ky është ai për të cilin ju thashë: “Pas meje vjen dikush që është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje”.
31 Unë nuk e njihja atë, prandaj erdha të pagëzoj me ujë që t'ia zbuloj Izraelit».
32 Gjoni dëshmoi: «Pashë Shpirtin tek zbriste prej qiellit si pëllumb e që qëndroi mbi të.
33 Unë nuk e njihja atë, por ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë më tha: “Ai mbi të cilin do të shohësh Shpirtin duke zbritur e duke qëndruar mbi të, është ai që do të pagëzojë me Shpirtin e shenjtë”.
34 Unë e kam parë dhe dëshmoj se ky është Biri i Perëndisë».
35 Të nesërmen, Gjoni po qëndronte sërish atje bashkë me dy prej dishepujve të tij
36 dhe kur pa Jezuin që po kalonte, tha: «Ja Qengji i Perëndisë!».
37 Dy dishepujt, kur dëgjuan çfarë tha Gjoni, i shkuan pas Jezuit.
38 Jezui u kthye e kur pa se po i shkonin pas, i pyeti: «Çfarë kërkoni?». Ata i thanë: «Rabbi, “që do të thotë mësues”, ku banon?».
39 Jezui u tha: «Ejani e shihni!». Ata shkuan, panë ku banonte dhe atë ditë qëndruan me të. Ora ishte rreth katër e pasdites.
40 Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte njëri prej atyre të dyve që ndoqën Jezuin, pasi dëgjuan çfarë tha Gjoni.
41 Ai takoi të parin vëllanë e vet, Simonin, e i tha: «Gjetëm Mesinë!», domethënë Krishtin.
42 Pastaj e çoi atë te Jezui, i cili sapo e pa, i tha: «Ti je Simoni, biri i Gjonit. Ti do të quhesh Kefa», që do të thotë Pjetër, shkëmb.
43 Të nesërmen, Jezui vendosi të shkojë në Galile. Ai takoi Filipin e i tha: «Më ndiq!».
44 Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas e i Pjetrit.
45 Filipi gjeti Natanaelin e i tha: «E gjetëm atë për të cilin kanë shkruar Moisiu në ligj dhe profetët, Jezuin nga Nazareti, birin e Jozefit».
46 Natanaeli e pyeti: «A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?». «Eja e shih!», iu përgjigj Filipi.
47 Jezui pa Natanaelin që po shkonte drejt tij e tha për të: «Ja një izraelit i vërtetë tek i cili nuk ka mashtrim!».
48 Natanaeli e pyeti: «Nga më njeh?». Jezui iu përgjigj: «Të pashë kur ishe nën fik, përpara se të të thërriste Filipi».
49 Natanaeli tha: «Mësues, ti je Biri i Perëndisë! Ti je mbreti i Izraelit!».
50 Jezui i tha: «Ti beson vetëm sepse të thashë se të pashë nën fik? Do të shohësh gjëra edhe më të mëdha!».
51 Pastaj Jezui i tha: «Me të vërtetë po ju them: do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut».