Jeremiah 4AL1

1«Nëse do të kthehesh, o Izrael, kumton Zoti, tek unë kthehu. Nëse i flak prej meje pështirësitë e tua e nuk bredh,

2e nëse betohesh: “Pasha Zotin!”, me vërtetësi, me drejtësi e me të drejtë, falë tij kombet do të bekohen, falë tij do të mburren.

3Kështu u thotë Zoti njerëzve të Judës e të Jerusalemit: hapni tokë të re e mos mbillni ndër ferra.

4Rrethprituni për Zotin, flakeni lafshën prej zemrës, o njerëzit e Judës e banorët e Jerusalemit, që të mos flakërojë si zjarr zemërimi im e të mos djegë pa u shuar, për shkak të bëmave tuaja të liga».

5«Njoftoni nëpër Judë, le të merret vesh në Jerusalem e shpallni: bini borisë nëpër vend, bërtitni fort e thoni: mblidhuni, të hyjmë në qytetet e fortifikuara!

6Lartësoni një shenjë drejt Sionit, merrni arratinë e mos ngurroni, se nga veriu po e sjell mjerimin dhe rrënimin e madh.

7Luani u ngrit nga strofulli i vet, doli për udhë rrënimtari i kombeve, doli nga vendi i tij për ta shkretuar vendin tuaj. Qytetet tuaja, rrënoja pa banorë do të jenë.

8Prandaj mbulohuni me grathore, vajtoni e vini kujën, se nuk do të zmbrapset zemërimi flakërues i Zotit.

9Atë ditë, kumton Zoti, do t'i lëshojë zemra mbretin dhe princat. Priftërinjtë do të çoroditen dhe profetët do të trullosen.

10Unë thashë: “Ah, Zot, Zoti im, me të vërtetë e paske gënjyer këtë popull dhe Jerusalemin, kur i the: ‘Do të keni paqe’, por ja që shpata mbërriti në gurmaz”.

11Në atë kohë do t'i thuhet këtij populli dhe Jerusalemit: “Drejt bijës së popullit tim fryn era përzhitëse e pllajave të shkretëtirës, por jo për të hedhur e as për të pastruar.

12Një erë rrëmbyese po vjen për mua. Tani edhe unë do të flas në gjyq kundër tyre”.

13Ja, ai përparon si reja, porsi stuhia karrocat e tij. Kuajt e tij janë më të shpejtë se shqiponjat. Mjerë ne, se morëm fund.

14Pastroje zemrën nga ligësia, Jerusalem, që të shpëtosh. Deri kur do t'i mbash në gji mendimet e tua të mbrapshta?

15Se një zë lajmëron nga Dani, nga kodrat e Efraimit ai shpall mjerimin.

16Kujtojuani kombeve, njoftojeni Jerusalemin: pushtuesit po vijnë nga një dhe i largët, kundër qyteteve të Judës lëshojnë klithma.

17E kanë rrethuar si rojat e arës, se ngriti krye kundër meje, kumton Zoti.

18Sjellja jote dhe veprat e tua ta bënë këtë. Ky është fati yt i hidhur që të ka mbërritur deri në zemër».

19«U përvëlova, u përvëlova! U kapita. Po më plas zemra, po më dridhet zemra. Nuk mund të hesht, se dëgjova zërin e borisë, kushtrimin e betejës.

20Rrënim përmbi rrënim lajmërohet, se mbarë dheu do të rrënohet. Befas tendat e mia u rrënuan e pëlhurat e mia në një çast.

21Deri kur do ta shikoj flamurin e do të dëgjoj zërin e borisë?

22Se i çmendur është populli im e nuk më njeh. Janë bij të marrë që nuk kuptojnë. Janë të zgjuar për të bërë të keqen, por të mirën nuk dinë ta bëjnë.

23Shikova tokën dhe, ja, e shkretë dhe e zbrazët. Edhe qiellin, por nuk kishte ndriçues.

24Shikova malet, dhe, ja, ato dridhen, të gjitha kodrat lëkunden.

25Shikova dhe, ja, nuk ka njeri, shpendët e qiellit kanë ikur të tërë.

26Shikova dhe, ja, toka pjellore ishte e shkretë, të gjitha qytetet e saj ishin shembur para Zotit, para zemërimit të tij përcëllues.

27Sepse kështu thotë Zoti: “Mbarë toka do të rrënohet, por nuk do ta zhbij krejt.

28Prandaj, toka do të mbajë zi e qielli përsipër do të ngryset, se fola e vendosa e nuk do të pendohem, as do të tërhiqem”.

29Nga zëri i kalorësit dhe i harkëtarit çdo qytet merr arratinë, çajnë nëpër shkurre, ngjiten nëpër shkëmbinj, çdo qytet braktiset, asnjë banor nuk mbetet.

30Po ti, o e shkretuar, çfarë do të bësh? Edhe sikur të vishesh me purpur, edhe sikur të stolisesh me ar, edhe sikur t'i lyesh sytë, që të të duken të mëdhenj, kot zbukurohesh. Dashnorët e tu do të të përçmojnë, ata kërkojnë të të marrin shpirtin.

31Dëgjova një zë si ai i gruas në dhimbje, një ankim, si i asaj që lind për herë të parë: është zëri i bijës së Sionit, që gulçon e shtrin duart: “Mjerë unë! Po më fiket shpirti për shkak të vrastarëve”».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Jeremiah 4.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.