Jeremiah 2
1 Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha:
2 «Shko e bërtiti në veshë Jerusalemit. Kështu thotë Zoti: më kujtohet përkushtimi i rinisë sate, dashuria jote vajzërore, kur rendje pas meje në shkretëtirë, në tokë të pambjellë.
3 I shenjtë ishte Izraeli për Zotin, fryti i tij i parë. Ata që e kafshonin binin në faj, zezona i zinte, kumton Zoti.
4 Dëgjojeni fjalën e Zotit, o shtëpia e Jakobit dhe të gjitha fiset e shtëpisë së Izraelit.
5 Kështu thotë Zoti: çfarë të mete gjetën tek unë etërit tuaj, që u larguan prej meje, rendën pas kotësisë dhe u bënë të kotë?
6 A nuk thanë: “Ku është Zoti, që na solli nga dheu i Egjiptit, që na priu në shkretëtirë, në tokë djerr e plot gropa, në tokë të thatë e të errët, në dheun ku nuk kalon njeri e ku askush nuk banon?”.
7 Unë ju solla në tokë frutore, që të hani frytet dhe begatitë e saj, por ju hytë dhe e ndotët vendin tim, e bëtë të neveritshme trashëgiminë time.
8 Priftërinjtë nuk pyetën: “Ku është Zoti?”. Shtjelluesit e ligjit nuk më njohën, barinjtë ngritën krye kundër meje, profetët profetizuan sipas Baalit e rendën pas kotësive.
9 Prandaj do të rragatem me ju, kumton Zoti, edhe me bijtë e bijve tuaj do të rragatem.
10 Shkoni, pra, në brigjet e Kitimit e shikoni, dërgoni për të vërejtur hollë në Kedar e shihni a kanë ndodhur gjëra të tilla atje.
11 A i ka këmbyer ndonjë komb perënditë, edhe pse ata s'janë perëndi? Por populli im e ka këmbyer lavdinë e vet me çfarë është e pavlerë.
12 Hutohuni nga kjo gjë, o qiej, tranduni e trishtohuni thellë, kumton Zoti.
13 Se dy ligësi bëri populli im: më braktisi mua, gurrën e ujit të gjallë, për të hapur për vete sterna, sterna të shpuara, që nuk mbajnë ujë.
14 Mos është skllav Izraeli, skllav i lindur në shtëpi? Përse u bë pre?
15 Luanët ulërinë kundër tij me zërin e tyre të lartë. E shkretuan tokën e tij, qytetet e tij u rrënuan e s'kanë më banorë.
16 Edhe bijtë e Memfisit e Tahpanhesit ta kanë rruar kokën.
17 A nuk ia bëre vetes, duke braktisur Zotin, Perëndinë tënd, kur ai të priu udhës sate?
18 Ç'ke që rend drejt Egjiptit për të pirë ujin e Nilit? Ç'ke që rend drejt Asirisë për të pirë ujin e Eufratit?
19 Ligësia jote do të të ndëshkojë, pabesia jote do të të qortojë. Merre vesh e shiko sa keq e sa hidhur është për ty të braktisësh Zotin, Perëndinë tënd. Nuk dridhesh më para meje, kumton Zoti, Zoti i ushtrive.
20 Ja, qëmoti e kam copëtuar zgjedhën tënde e i kam thyer vargonjtë e tu, e ti the: “Nuk do të shërbej”, prandaj mbi çdo kodër të lartë e nën çdo pemë të harbuar u shtrive porsi lavire.
21 Të pata mbjellë si hardhi e zgjedhur, prej farës së pastër. Si m'u tjetërsove e u bëre hardhi e egër?
22 Edhe po të lahesh me finjë e të fërkohesh me shumë sapun, para syve e kam damkën e fajit tënd, kumton Zoti, Zoti im.
23 Si mund të thuash: “Nuk jam përlyer, nuk renda pas Baalëve”? Shiko gjurmët ku ke ecur nëpër luginë, prano çfarë ke bërë, o deve e shkathët endacake,
24 gomare e egër e mësuar me shkretëtirën, që nuhat ajrin kur e kap afshi. Kush mund ta ndalë epshin e saj? Kushdo që e dëshiron, nuk mundohet, por e gjen gjithmonë në muajin e vet.
25 Ruaje këmbën, mos të mbetet zbathur e fytin mos të mbetet etur. Por ti the: “Jo, është e kotë, se të huajt dashurova e pas tyre do të rend”.
26 Siç turpërohet vjedhësi kur kapet, ashtu do të turpërohet shtëpia e Izraelit, ata, mbretërit e tyre, prijësit, priftërinjtë e profetët e tyre,
27 që i thonë drurit: “Ti je im atë” e gurit: “Ti më ke lindur”. Më kanë kthyer kurrizin e jo fytyrën, por, kur i zë zezona, thonë: “Ngrihu e shpëtona!”.
28 Ku janë perënditë që sajove për vete? Le të ngrihen, nëse të shpëtojnë në kohën e zezonës, se, sa numri i qyteteve të tua janë perënditë e tua, o Judë.
29 Pse grindeni me mua? Ju të gjithë ngritët krye kundër meje, kumton Zoti.
30 Më kot i godita bijtë tuaj, nuk e morën mësimin. Profetët tuaj i përpiu shpata juaj, si luani rrënimtar.
31 Ju, o brezni, vëreni fjalën e Zotit. Mos vallë isha shkretëtirë për Izraelin, apo tokë e terratisur? Përse thotë populli im: “Do të endemi të lirë, te ti më nuk do të kthehemi”?
32 A i harron vashëza stolitë e veta, apo nusja brezin nusëror? Por populli im më ka harruar prej shumë kohësh.
33 Sa mirë e gjen udhën për të lypur dashuri! Deri edhe të përdalave ua mësove udhët e tua.
34 Në petkun tënd gjendet gjaku i nevojtarëve të pafajshëm, të cilët s'i kape duke thyer derën. Me të gjitha këto,
35 thua: “Jam, e pafaj, prandaj iku prej meje zemërimi i tij”. Ja, do t'ju hap gjyq, sepse thatë: “Unë s'kam mëkatuar”.
36 Sa shpërfillshëm ndërron udhë! Edhe nga Egjipti do të mbulohesh me turp, siç u mbulove me turp nga Asiria.
37 Edhe që andej do të dalësh duke mbajtur kokën me duar, se Zoti i ka përzënë besnikët e tu e ti nuk do të begatohesh falë tyre».