Jeremiah 14AL1

1Fjala e Zotit drejtuar Jeremisë në lidhje me thatësirën.

2Juda është në zi e portat e tij lëngojnë, vajtojnë përdhe e gjëma e Jerusalemit ngrihet lart.

3Fisnikët e tyre dërgojnë vegjëlinë për ujë, vijnë te sternat, por ujë nuk gjejnë e kthehen me enët zbrazur. Mbeten të turpëruar e të poshtëruar, ndaj kokën mbulojnë.

4Dheu është plasaritur, se nuk bie shi mbi tokë, ndaj bujqit janë turpëruar e kokën kanë mbuluar,

5edhe drenusha në fushë pjell dhe e braktis pjellën, se nuk ka bar.

6Gomarët e egër qëndrojnë mbi rrahe, gulçojnë për frymë si çakej, u perëndojnë sytë, se nuk ka blerim.

7«Ndonëse fajet tona dëshmojnë kundër nesh, o Zot, vepro për hir të emrit tënd, se të shumta janë pabesitë tona, kundër teje kemi mëkatuar.

8O shpresë e Izraelit, shpëtimtari i tij në kohë ngushtice, pse do të jesh si bujtës në tokë, si kalimtar që kthehet për një natë?

9Pse bën si njeri i hutuar, si trimi që nuk mund të sjellë shpëtim? Por, ti je mes nesh, o Zot, e mbi ne thirret emri yt. Mos na braktis!».

10Kështu thotë Zoti për këtë popull: «Ua ka ënda të enden, nuk u zënë këmbët dhe, prandaj nuk i pëlqejnë Zotit. Ai do të kujtohet për fajet e tyre dhe do t'i ndëshkojë mëkatet e tyre».

11Zoti më tha: «Mos u lut për këtë popull, për mirëqenien e tij.

12Edhe po të agjërojnë, nuk do t'ua dëgjoj britmën. Edhe po të kushtojnë fli shkrumbimi e fli drithi, nuk do t'i pranoj. Përkundrazi, me shpatë, me zi buke e me murtajë do t'i shfaros».

13Atëherë thashë: «Ah, Zot, Zoti im! Ja, profetët u thonë: nuk do të shihni shpatë, as do të ketë zi buke për ju, se ai do t'ju japë një paqe të vërtetë në këtë vend».

14Pastaj Zoti më tha: «Profetët kanë profetizuar gënjeshtra në emrin tim. Unë nuk i kam dërguar, nuk u kam dhënë urdhra e nuk u kam folur. Ata ju profetizojnë vegime të rreme, parashikime të kota dhe mashtrimet e zemrave të veta.

15Prandaj, kështu thotë Zoti për profetët që profetizojnë në emrin tim, megjithëse nuk i kam dërguar unë, dhe që thonë: “As shpata, as zia e bukës nuk do të bien mbi këtë tokë”. Prej shpatës e zisë së bukës do të marrin fund ata profetë.

16Populli, të cilit ata do t'i profetizojnë, do të nxirret jashtë në rrugët e Jerusalemit, për shkak të zisë së bukës e të shpatës, pa pasur kush t'i varrosë as ata, as gratë, as bijtë e as bijat e tyre. Do të zbraz mbi ta ligësitë e tyre.

17Ti thuaju këtë fjalë: le të rrjedhin lot sytë e mi natë e ditë pa pushim, se e theu, e copëtoi virgjëreshën, bijën e popullit tim, plaga dhe sëmundja e rëndë.

18Nëse dal në arë, ja, të therurit me shpatë. Nëse hyj në qytet, ja, të vdekurit prej urisë. Edhe profeti, edhe prifti, sillen nëpër vend e s'dinë.

19A e ke hedhur tej Judën? A të neveritet Sioni? Pse na ke goditur e s'ka shërim për ne? Prisnim paqen, por nuk ka mirësi, kohën e shërimit, por, ja, tmerr.

20E pranojmë, o Zot, paudhësinë tonë e fajin e etërve tanë, se kemi mëkatuar kundër teje.

21Mos na përbuz, për hir të emrit tënd, mos e përçmo fronin e lavdisë sate, kujtohu e mos e thyej besëlidhjen me ne.

22A ka ndër idhujt e kombeve ndonjë që mund të sjellë shiun? A e lëshojnë qiejt vetë shtrëngatën? A nuk je ti ai, o Zot, Perëndia ynë? Ne shpresojmë te ti, se të gjitha këto ti i ke bërë».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Jeremiah 14.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.