Isaiah 61AL1

1Shpirti i Zotit, Zotit tim, është mbi mua, se vetë Zoti më ka vajosur, më ka dërguar t'u shpall lajmin e mirë të vobektëve, t'u lidh plagët zemërthyerve, t'u shpall çlirimin të robëruarve, të burgosurve, daljen nga burgu,

2të shpall vitin e hirit të Zotit dhe ditën e hakmarrjes së Perëndisë tonë, t'u jap ngushëllim të gjithë atyre që vajtojnë,

3të ngushëlloj ata që vajtojnë në Sion, t'u vë kësula mbi kokë në vend të hirit, vajin e gëzimit, në vend të zisë, petkun e lavdit, në vend të shpirtit të thyer, që lisa drejtësie të quhen, mbëltim i Zotit, për lavdi të tij.

4Rrënojat e lashta do t'i ndërtojnë sërish, gërmadhat e vjetra do t'i ngrenë, do të përtërijnë qytetet e shkretuara, të shkatërruara prej shumë breznish.

5Të huaj do të vijnë për t'jua kullotur tufat, bij të huajsh do të jenë bujqit e vreshtarët tuaj.

6E ju do të quheni «priftërinj të Zotit ». «Shërbëtorë të Perëndisë tonë», do të thonë për ju. Do të gëzoni të mirat e kombeve, me pasurinë e tyre do të krenoheni.

7Dyfish të turpëruar keni qenë, «Çnderimi është fati i tyre!», për ju bërtitën, prandaj tokën tuaj dyfish do ta trashëgoni e gëzim të përhershëm do të keni.

8Se unë, Zoti, që e dua drejtësinë dhe e urrej plaçkitjen e paudhësinë, unë do t'ju jap shpërblimin me besnikëri e do të bëj me ju një besëlidhje të amshuar.

9Fara juaj do të jetë e njohur mes kombeve, pasardhësit tuaj mes popujve. Kushdo që do t'i shohë, do t'i njohë, ata janë fara e bekuar prej Zotit.

10I madh është gëzimi im në Zotin, shpirti im ngazëllen në Perëndinë tim, se më veshi me rrobat e shpëtimit, me petkun e drejtësisë më mbuloi, si një dhëndër stolisur me kësulë, si një nuse zbukuruar me stoli.

11Siç bën toka të mbijë bimësia, si kopshti që rrit farën e mbjellë, ashtu do ta rritë Zoti, Zoti im, drejtësinë dhe lavdërimin përpara gjithë kombeve.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Isaiah 61.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.