Isaiah 29
1 Mjerë Arieli! Arieli, qyteti ku fushoi Davidi. Le të shtohen vitet njëri pas tjetrit, le të kremtohen festat sipas radhës së tyre.
2 Kam për të sjellë fatkeqësi mbi Arielin, do të ketë gjëmë e vajtim, e do të jetë për mua vërtet si një «ariel».
3 Do të ngre fushimin përreth teje, me ledh do të të rrethoj, penda do të ngre kundër teje.
4 Do të biesh shumë poshtë, prej dheut do të flasësh, nga pluhuri e mbytur do të dalë fjala jote, zëri yt do të tingëllojë si i dalë prej varrit, e folura jote do të pëshpëritë prej baltës.
5 Të huajt e shumtë, që do të jenë te ti, pluhurit të imët do t'i ngjajnë, gjakatarët e tu si byku që e merr era, e kjo do të ndodhë befas në një çast.
6 Do të vijë te ti Zoti i ushtrive, me gjëmim, me tërmet e me zhurmë të madhe, me shakullinë, me stuhi, me flakë zjarri që përvëlon.
7 Si një ëndërr do të jetë, si vegimi i natës, turma e kombeve që do të luftojë kundër Arielit, tërë ata që do ta sulmojnë me gjithë fortesat e tij, do ta rrethojnë nga të gjitha anët.
8 Do të jetë si i urituri që ëndërron, se ha, por, kur zgjohet, barkun zbrazët e ka, apo si i eturi që ëndërron, se pi, por, kur zgjohet, është i këputur e fytin thatë e ka. Kështu do të jetë turma e gjithë kombeve që malin e Sionit do të sulmojnë.
9 Silluni si të marrë e marrosuni, silluni si të verbër e verbohuni! Të dehur, por jo prej verës, ju merren këmbët, por jo nga pija.
10 Ja, Zoti dërgoi mbi ju një shpirt topitjeje, që i mbylli sytë tuaj, profetët, që i mbuloi kokat tuaja, vegimtarët.
11 Kështu, të gjitha vegimet u bënë për ju si fjalët e një libri të vulosur, të cilin, nëse ia japin atij që di të lexojë e i thonë: «Lexoje këtë!», do të thotë: «Nuk mundem, se është i vulosur»,
12 apo nëse ia japin atij, që s'di të lexojë, e i thonë: «Lexoje!», do të thotë: «Nuk di të lexoj».
13 Ky popull më afrohet veç me gojë, thotë Zoti, e më nderon veç me buzë, por zemra e tij është larg meje. Droja, që për mua kanë, s'është veçse urdhërim i mësuar prej njerëzve.
14 Prandaj do ta çudis edhe më këtë popull, do ta çudis e do ta mahnis. Urtia e të urtëve të tij do të marrë fund, mençuria e të mençurve të tij do të errësohet.
15 Mjerë ata që prej Zotit thellë i fshehin sendërgjimet e tyre, ata që veprat e tyre në terr i bëjnë e thonë: «Kush na sheh e kush na njeh?».
16 Sa e pështirë! A çmohet poçari njëlloj si balta? A i thotë vepra krijuesit të vet «Nuk më ke bërë ti?». A i thotë ena poçarit që e bëri «Qenke krejt i pamend?».
17 Edhe pak kohë, edhe shumë pak, e Libani do të kthehet në pemishte e pemishtja do të kthehet në pyll.
18 Atë ditë të shurdhrit do të dëgjojnë fjalët e librit; të çliruar nga errësira e terri, sytë e të verbërve do të shohin.
19 Të varfrit do të gëzojnë edhe më shumë në Zotin, skamnorët e njerëzimit do të ngazëllejnë për të shenjtin e Izraelit.
20 Sepse njeriu i dhunshëm do të marrë fund e përqeshësi do të zhduket, gjithë ata që sendërgjojnë paudhësi do të shfarosen,
21 ata që fajësojnë të tjerët me fjalë, që i ngrenë kurth gjykatësit te porta, që për asgjë e hedhin poshtë të drejtin.
22 Prandaj kështu i thotë Zoti shtëpisë së Jakobit, ai që shpengoi Abrahamin: që tani e tutje Jakobi nuk do të turpërohet më, që tani e tutje fytyra më s'do t'i skuqet.
23 Kur të shohin bijtë e tij veprat që do të bëj mes tyre, do ta shenjtërojnë emrin tim. Të shenjtin e Jakobit do ta shenjtërojnë, Perëndinë e Izraelit do ta kenë frikë.
24 Shpirtrat e mashtruar do të arrijnë të kuptojnë dhe ata që murmurijnë do të pranojnë t'i mësojnë.