Hosea 2AL1

1«Por, numri i bijve të Izraelit do të bëhet si rëra e detit që nuk matet e as numërohet. Dhe në vendin ku u qe thënë: “Nuk jeni populli im!”, do t'u thuhet: “Bij të Perëndisë së gjallë!”.

2Do të bashkohen bijtë e Judës me bijtë e Izraelit, një prijës të vetëm do të vënë në krye e do të blerojnë mbi dhe, se e madhërishme do të jetë dita e Izrelit.

3Thuajuni vëllezërve: “Populli im!” e motrave: “E mëshiruara!”.

4Paditeni nënën tuaj, paditeni se nuk është më gruaja ime e unë nuk jam më burri i saj. Të heqë prej fytyrës shenjat e lavires e tradhtinë prej gjinjve të saj,

5përndryshe do ta zhvesh lakuriq, do ta nxjerr në pah si ditën kur lindi, do ta bëj si shkretëtirën, porsi tokën e thatë, do ta bëj të vdesë nga etja!

6Për bijtë e saj s'do të kem mëshirë, se pjellë laviresh janë.

7Nëna e tyre u kurvërua, e pacipë është ajo që i ngjizi, se tha: “Do të shkoj pas dashnorëve të mi që më japin bukë e ujë, lesh e li, vaj e pije”.

8Ndaj, ja, shtegun do t'ia zë me ferra, një ledh do t'i ngre përreth, që udhën të mos e gjejë.

9Do të rendë pas dashnorëve, por nuk do t'i kapë dot. Do t'i kërkojë, por nuk do t'i gjejë e pastaj do të thotë: “Po kthehem te burri im i parë, se më e lumtur isha me të”.

10Ajo nuk e di se isha unë, ai që i dha drithë, musht e vaj. Unë ia shumova argjendin e arin, me të cilët bënë Baalë.

11Ndaj, do ta marr mbrapsht drithin tim në kohën e të korrave, edhe verën time në stinën e saj. Do t'ia rrëmbej leshin e linë time, me të cilën mbulon lakuriqësinë e vet.

12Ja, tani do t'ia zbuloj paturpësinë para syve të dashnorëve të saj. Askush s'do ta shpëtojë dot prej dorës sime!

13Do t'u jap fund tërë ngazëllimeve që ka: festës, të shtunës, hënës së re e çdo të kremteje që mban.

14Do t'ia shkatërroj hardhinë e fikun, për të cilat thoshte: “Kjo është paga ime që dashnorët më dhanë”. Shkurre ato do t'i bëj, egërsirat do t'i gllabërojnë.

15Do ta ndëshkoj për ditët kushtuar Baalëve, gjatë të cilave u digjte temjan, zbukurohej me unaza e stoli, ndiqte pas dashnorët e saj e mua më harronte, kumton Zoti.

16Por, ja, unë do ta ngashënjej, do ta çoj në shkretëtirë e do t'i flas ëmbël.

17Prej andej vreshtat do t'ia jap e luginën e Akorit si portë shprese. Prej andej ajo do të më përgjigjet si në ditët e rinisë, si në ditët kur doli prej tokës së Egjiptit.

18Atë ditë, kumton Zoti, do të më thuash: “Burri im!” dhe jo më: “Baali im!”.

19Do t'i fshij emrat e Baalëve prej buzëve të tua, emrat e tyre nuk do t'i kujtosh më.

20Atë ditë për ta do të lidh një besëlidhje me kafshët e fushës, me fluturakët e qiellit e me zvarranikët e dheut. Harkun, shpatën e luftën do ta zhbij nga toka, që të qetë të banojnë.

21Do të të bëj gruan time përherë, do të të marr për grua me drejtësi e të drejtë, me mirësi e dhembshuri.

22Do të të marr për grua me besnikëri e Zotin do ta njohësh.

23Atë ditë do të përgjigjem, kumton Zoti. Do t'i përgjigjem qiellit, e qielli tokës,

24toka drithit, mushtit e vajit, e ata do t'i përgjigjen Izrelit.

25Do ta mbjell për vete në tokë. Do të kem mëshirë për Loruhamën, do t'i them Loamit: “Je populli im” e ai do të thotë: “Perëndia im!”».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Hosea 2.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.