Hosea 10AL1

1«Hardhi e begatshme është Izraeli, jep fryt me mbushulli, por sa më shumë jep fryt, aq më shumë i shton altarët, sa më i begatshëm bëhet vendi, aq më tepër i stolisin përmendoret e shenjta.

2Kanë zemër mashtruese, ndaj janë fajtorë. Ai do t'i thërrmojë altarët e tyre, përmendoret e tyre të shenjta do t'i rrënojë.

3E pastaj ata do të thonë: “S'kemi mbret, se Zotin nuk e druajtëm. Po edhe mbreti ç'do të bënte për ne?”.

4Flasin vetëm fjalë, zotohen më kot e lidhin besëlidhje, ndaj gjykimet lindin si bimët helmuese në hulli të arës.

5Për kaun e Bet Avenit frikësohen banorët e Samarisë. Vajton populli për të, priftërinjtë dridhen për të, për lavdinë e tij, se në mërgim shkoi.

6Vetë do ta çojnë atë në Asiri, si tagër për mbretin e madh. Efraimin do ta kapë turpi, Izraeli do të turpërohet për shestimet e veta.

7Mbreti i Samarisë do të tretet, porsi shkuma mbi ujë.

8Do të rrafshohen faltoret e Avenit, ato janë mëkatet e Izraelit. Altarët e tyre do t'i mbulojë ferra e murrizi. Maleve do t'u thonë: “Na mbuloni!”, kodrave: “Bini mbi ne!”.

9Që nga dita e Gibeahut mëkatove, o Izrael. Atje mbetën, në Gibeah, atje keqbërësit lufta do t'i kaplojë.

10Kam vendosur t'i ndëshkoj. Popujt do të mblidhen kundër tyre, kur të mbrehen për fajin e tyre të dyfishtë.

11Efraimit, si kaut të mësuar, i pëlqen lëmin të shijë, zgjedhën ia hodha mbi qafën e tij të bukur. Efraimin do ta mbreh, Juda do të lëvrojë, Jakobi vetë do të trinojë.

12Mbillni drejtësinë, korrni frytin e mirësisë, hapni tokë të re. Është koha për të kërkuar Zotin derisa të vijë e shiun e drejtësisë të zbrazë mbi ju.

13Lëvruat paudhësinë, korrët padrejtësinë, frytin e gënjeshtrës hëngrët, se i zure besë udhëve të tua, trimave të tu të shumtë.

14Do të buçasë lufta kundër popullit tënd, fortesat e tua do të rrënohen, siç e shkretoi Shalmani Bet Arbelin, kur nënat copëtoheshin mbi bijtë e tyre.

15Kështu do të ndodhë edhe me ty, o Betel, për shkak të paudhësive që kreve. Në të gdhirë mbreti i Izraelit do të marrë fund».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Hosea 10.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.