Habakkuk 1AL1

1Vegimi që pa profeti Habakuk.

2«O Zot, për sa kohë do të të thërras e ti nuk do të dëgjosh? Për sa kohë do të klith: “Dhunë!” e ti nuk do të ndërhysh?

3Përse më bën të shoh padrejtësi, përse rri e vrojton prapësinë? Para kam shkatërrim e dhunë, dalin grindje e zënka.

4Ndaj dhe ligji zbehet, kurrë nuk del në pah e drejta. Ndaj shtrembërohet drejtësia dhe i mbrapshti të drejtin rrethon.

5Shikoni mes kombeve e vrojtoni, habituni e mrekullohuni, se po bëj diçka në ditët tuaja, s'do ta besoni kur t'jua tregojnë.

6Ja, po ngre kaldenjtë, një komb i vrazhdë e i rrëmbyer, që kryq e tërthor tokës i bie, për të zaptuar banesat që nuk i takojnë.

7I tmerrshëm e i frikshëm është ai, bën ligjin dhe nderin e vendos vetë.

8Kuajt i ka më të shpejtë se leopardi, më të egër se ujqit e natës. Kalorësit e tij kalërojnë, prej larg vijnë ata. Lëshohen porsi shqiponja që prenë e përpin vetëtimthi.

9Të gjithë ata dalin për dhunë, mori fytyrash vërshojnë e robër mbledhin porsi rërë.

10Mbretërit i përqesh, prijësit i qesëndis, zgërdhihet me çdo fortesë, se ngre pirgje dhe i pushton.

11Vërshon si era e kalon tej, është fajtor, se forcën ka për perëndi.

12O Zot, ti që je prej fillimit, Perëndia im, i shenjti im i pavdekshëm. O Zot, për të gjykuar e caktove, o Shkëmb, për të ndëshkuar e vendose.

13Sytë e tu janë tepër të pastër për ta parë ligësinë e prapësinë nuk e vrojtojnë dot. Përse i vrojton të pabesët, përse hesht kur i mbrapshti përpin të drejtin.

14E bëre njerëzinë si peshqit e detit, si zvarranikët, që s'kanë zot mbi vete.

15Kaldeu i gjuan të gjithë me grep, i tërheq me rrjetën e vet e me tratë i mbledh krejt, ndaj gëzohet e galdon,

16ndaj i flijon rrjetës së vet, i djeg temjan tratës së vet, se falë tyre merr pjesë të majme, ushqim të shijshëm ha.

17Mos për këtë do të vijojë rrjetën ta zbrazë e popujt pa fund t'i vrasë?».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Habakkuk 1.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.