Genesis 9
1 Perëndia e bekoi Noeun dhe bijtë e tij e u tha: «Shtohuni, shumohuni e mbushni tokën.
2 Frikë e tmerr do të jeni për të gjitha kafshët e tokës, për gjithë shpendët e qiellit, për gjithçka që lëviz mbi dhe, e për gjithë peshqit e detit, se janë lënë në dorën tuaj.
3 Do të keni për ushqim çdo gjë të gjallë që lëviz. Po ju jap gjithçka, ashtu siç ju dhashë çdo bimë të gjelbër.
4 Por nuk do të hani mish të gjallë, domethënë me gjak.
5 Edhe për gjakun e jetëve tuaja do të kërkoj shpagim. Do ta kërkoj jetën e njeriut prej çdo kafshe, prej njeriut e prej vëllait të tij.
6 Ai që derdh gjak njeriu, prej njeriut do t'i derdhet gjaku, se në shëmbëlltyrën e vet e bëri Perëndia njeriun.
7 Ju, pra, shtohuni e shumohuni, mbushni tokën e shumohuni mbi të».
8 Atëherë Perëndia i tha Noeut e bijve të tij:
9 «Ja, unë po e lidh besëlidhjen time me ju e me pasardhësit tuaj pas jush,
10 me çdo qenie të gjallë që është me ju, me shpendët, bagëtitë e çdo kafshë të egër që është me ju, me ato që dolën nga arka e me çdo kafshë të tokës.
11 Po e lidh besëlidhjen time me ju që të mos vdesë më asnjë qenie e gjallë nga ujërat e përmbytjes e të mos ketë më përmbytje për të shkatërruar tokën».
12 Perëndia tha: «Për gjithë breznitë e ardhshme, kjo është shenja e besëlidhjes që unë po bëj mes meje e jush dhe me çdo qenie të gjallë që është me ju.
13 Kam vënë mbi re harkun tim dhe ai do të jetë shenjë e besëlidhjes mes meje e tokës.
14 Kur ta mbuloj tokën me re e harku të shfaqet mbi to,
15 do të kujtoj besëlidhjen time mes meje e jush dhe me çdo lloj qenie të gjallë, kështu ujërat nuk do ta përmbytin më e nuk do të shkatërrojnë tërë qeniet e gjalla.
16 Kur harku të jetë mbi re, do ta shoh e do të kujtoj besëlidhjen e përjetshme mes Perëndisë e çdo lloj qenieje të gjallë mbi tokë».
17 Perëndia i tha Noeut: «Kjo është shenja e besëlidhjes që kam vendosur mes meje e çdo qenieje të gjallë mbi tokë».
18 Bijtë e Noeut që dolën nga arka ishin Semi, Kami e Jafeti. Kami ishte ati i Kanaanit.
19 Këta të tre ishin bijtë e Noeut dhe prej tyre u popullua e gjithë toka.
20 Noeu filloi të kultivojë tokën e mbolli një vresht.
21 Ai piu verë, u deh e u zhvesh në mes të tendës.
22 Kami, ati i Kanaanit, pa lakuriqësinë e të atit dhe u tregoi dy vëllezërve që ishin jashtë.
23 Atëherë Semi e Jafeti morën një rrobë, e vunë mbi krahë dhe duke ecur mbrapsht mbuluan lakuriqësinë e të atit. Ishin me fytyrë mbrapa e kështu nuk e panë lakuriqësinë e të atit.
24 Kur i doli pija, Noeu mori vesh se çfarë i kishte bërë djali i vogël
25 e tha: «Mallkuar qoftë Kanaani! Shërbëtor i shërbëtorëve do të jetë për vëllezërit e vet!».
26 Po ashtu tha: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Semit. Kanaani qoftë shërbëtori i tij!
27 Perëndia i zgjeroftë kufijtë e Jafetit e ky banoftë në tendën e Semit. Kanaani qoftë shërbëtori i tij!».
28 Pas përmbytjes Noeu jetoi treqind e pesëdhjetë vjet.
29 Kështu, Noeu jetoi nëntëqind e pesëdhjetë vjet dhe vdiq.